Kishat gjermane humbasin më shumë se gjysmë milion anëtarë

17:52 | 26 Qershor 2020

Kishat në Gjermani kanë humbur më shumë se gjysmë milioni prej anëtarëve të tyre vitin e kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në në deklaratë nga Kisha Katolike gjermane thuhet se në vitin 2019 nga anëtarësimi në Kishën Katolike janë larguar 272.771 persona, shifër kjo e cila paraqet rritje me 26 për qind në krahasim me vitin 2018 .

Bashkë me vdekjet, Kisha Katolike vitin e kaluar ka humbur mbi 400 mijë anëtarë dhe në fundin e vitit 2019, kisha ka numëruar 22,6 milionë anëtarë, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Ndërkaq, në një deklaratë nga Kisha Protestante e Gjermanisë thuhet se në vitin 2019, nga Kisha Protestante janë larguar nga anëtarësimi rreth 270 mijë njerëz, një rritje me 22 për qind në krahasim me vitin 2018.

Në deklaratë më tej informohet se në fund të vitit 2019, Kisha Protestante numëronte 20,7 milionë anëtarë.

Në këtë mënyrë, numri i personave që janë larguar nga kishat Katolike dhe Protestante në vitin 2019 në vend ka arritur në rreth 543 mijë.

Kryetari i Konferencës së Peshkopëve të Gjermanisë, Georg Baetzig, duke vënë në dukje se te këto shifra nuk ka ndonjë anë pozitive, tha se “Ka nevojë për ndryshime të guximshme”.

Baetzig vuri theksin në rëndësinë e procesit të reformës në kishë.

“Pas një humbjeje të konsiderueshme të besueshmërisë, duhet ta rifitojmë këtë besueshmëri. Sinqeriteti dhe transparenca dhe procesi i ndryshimit që do të zbatohet do të ndihmojë që kisha t’u përgjigjet këtyre problemeve të periudhës”, tha ai.

Ndërkohë, kreu i Kishave Protestante, Heinrich Bedford-Strohm, në një deklaratë për Agjencinë Gjermane të Lajmeve (DPA), theksoi se janë të shqetësuar nga këto shifra dhe se kisha do të ndjekë rrugën e ndryshimit.

Theksohet se arsyeja kryesore e largimeve nga kishat janë skandalet e ngacmimeve dhe abuzimeve të zbuluara vitet e fundit.

Në një raport të përgatitur lidhur me abuzimet e fëmijëve në Kishën Katolike në Gjermani në vitin 2018, u ekzaminuan mbi 38 mijë dosje në 27 rajone peshkopale dhe u përcaktua se të paktën 3.677 fëmijë janë abuzuar seksualisht gjatë viteve 1946-2014 dhe se në këto krime janë përfshirë 1.670 priftërinj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara