Kanada do të evakuojë afganët që ndihmuan ushtrinë gjatë luftës afgane

00:57 | 24 Korrik 2021

Kanadaja do të ndërmarrë “masa speciale të imigracionit” për të evakuuar afganët që ndihmuan ushtrinë kanadeze në luftën kundër talebanëve në Afganistan.

Zyrtarët e qeverisë kanadeze njoftuan se të përfshirë në evakuim janë përkthyes, kuzhinierë, shoferë, punonjës ndërtimi, roje të sigurisë, si dhe ata që punojnë në ambasadën kanadeze dhe familjet e tyre.

Afganët janë në një garë me kohën pasi SHBA tha se do të tërheq forcat e tyre nga vendi i rrethuar, ndërsa talebanët thanë se do të vrasin “tradhtarët” që ndihmuan forcat e huaja.

“Ne nuk do t’i lëmë pas”, tha Marco Mendicino, ministër i Emigracionit, në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Punëve të Jashtme, Marc Garneau dhe ministrin e Mbrojtjes, Harjit Sajjan.

“Kanadaja do t’u bëjë mirë atyre që bënë mirë për ne”, shtoi Mendicino.

Njoftimi kanadez vjen disa ditë pasi SHBA njoftoi se do të evakuojë afganët që ndihmuan amerikanët deri më 31 gusht.

Ndërkaq, Sajjan tha se ai nuk mund të japë një datë kur do të fillojë plani i evakuimit, por theksoi se “situata e sigurisë është përkeqësuar dhe duhet të punohet me aleatët shumë ngushtë, kështu që vetë plani duhet të ruhet për sigurinë e njerëzve që përpiqemi t’i sjellim në Kanada”.

Garneau, nga ana tjetër, tha se vendi u detyrohet me një borxh afganëve të cilët punuan për forcat kanadeze kundër talebanëve.

“Kanadaja ka një përgjegjësi për të mbrojtur njerëzit trima në Afganistan të cilët na kanë ndihmuar në kryerjen e misionit tonë mbi 20 vjet për të avancuar të drejtat e njeriut, edukimin, shëndetin dhe sigurinë në vendet e tyre”, tha Garneau.//AA

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara