Hetimet për fatkeqësinë në Bullgari mund të zgjasin gjashtë muaj

13:15 | 24 Nëntor 2021

Shumica e viktimave të aksidentit kanë qenë shtetas të Maqedonisë së Veriut me etni shqiptare.

Shtatë persona të mbijetuar në fatkeqsinë e djeshme të autbusit të Agjencisë “Besa Trans”, janë në spital të Sofjes, duke u trajtuar për djegie.

Ministri Venko Filipçe, ka thënë se gjendja shëndetësore e të lënduarve është stabile.

“Dy të lënduar u janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjike, në këmbë dhe pjesë tjera të trupit, por edhe ata janë në gjendje të qëndrueshme”, ka deklaruar Filipçe.

Ende nuk dihet cili është shkaku i përplasjes së autobusit, i cili ka marrë flakë.

Mediat bullgare, kanë bërë të ditur se hetimet për aksidentin mund të zgjasin deri në gjashtë muaj, transmeton Zhurnal, përcjell Klankosova.tv.

Në hetime janë përfshirë edhe autoritetet maqedonase, si nga prokuroria, Instituti i Mjekësisë Ligjore si dhe ekspertë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Vasko Pirgov, ekspert bullgar i motorëve, ka thënë se zjarri është përhapur në pjesën e përparme të autobusit ku edhe besohet të jenë mbajtur rezerva me karburante që mund të kenë nxitur zjarrin.

“Gjëja e parë që më ra në sy ishte se shoferi nuk frenoi. Nuk ka shanse ta ketë zënë gjumi, dhe për shkak se autobusi është i ri, ndonjë mosfunksionimi të mundshëm teknik i lë hapësirë vetëm 10 për qind. Mund të kenë dështuar frenat, por sinqerisht nuk besoj. Autobusi ka goditur me gomën e përparme djathtas në parmakët e autostradës dhe më pas ka shpërthyer zjarri. Në pjesën e gomës rezervë ka pasur tuba karburante. Në rrugë, ku ka ndodhur aksidenti, kam vërejtur rrjedhje të karburantit”, ka thënë Pirgov për nova.bg.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve i Maqedonisë së Veriut, Blagoj Boçvarski, ka deklaruar të martën në mbrëmje se autobusi nuk ka figuruar në sistemin e Ministrisë së Transportit dhe nuk ka pasur licencë për transport ndërkombëtar. Sipas tij, institucionet kanë nisur procedurën për heqjen e licencës së kompanisë “Besa Trans” për transport me autobus.

Drejtori i Inspektoratit Shtetëror për Transport, Rufat Huseini deklaroi se në pajtim me Ligjin për transport në komunikacionin rrugor, Drejtoria Doganore në vendkalimet kufitare duhet patjetër ta kthejë transportuesin, nëse nuk posedo certifikatë të licencës.

Lajmet më të lexuara