Greqia do të mbyllë tre kampe refugjatësh

18:39 | 21 Nëntor 2019

Sipas autoriteteve greke, vendi do të mbyllë tre kampe të mëdha të refugjatëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i qeverisë greke, Stelios Petsas, tha se kampet do të zëvendësohen me objekte të izoluara me një kapacitet nga një deri në pesë mijë persona.

Zv/ministri grek i Mbrojtjes, Alkiviadis Stefanis, njoftoi se këto kampe do të ndërtohen në ishujt Lesbos, Samos dhe Chios.

Kampi i refugjatëve Moria në ishullin Lesbos, një nga kampet më të mëdha të Greqisë, në vazhdimësi është kritikuar nga organiatat joqeveritare për kushtet çnjerëzore.

Kampi ishte formuar për të strehuar tre mijë persona, por aktualisht në këtë kamp jetojnë në kushte të mjerueshme mbi 15 mijë persona.

Aktualisht, në ishujt lindorë të Egjeut jetojnë rreth 35 mijë refugjatë.

Kryeministri konservator grek, Kyriakos Mitsotakis, në një intervistë për gazetën gjermane Handelsblatt, tha se, “Evropa vendet e mbërritjes si Greqia i konsideron si ‘vendparkim’ i përshtatshëm për refugjatët. A është ky solidaritet evropian… jo. Unë nuk do ta pranojë më këtë”.

Në fillim të këtij muaji, kryeministri grek premtoi shtrëngimin e kufijve të vendit të tij duke miratuar një ligj të ri polemik mbi azilin, me qëllim kontrollimin e numrit të migrantëve që hyjnë në vend.

Projektligji do të lehtësojë presionin në ishujt e Egjeut lindor, duke përshpejtuar procedurat e nevojshme për kthimin në Turqi të migrantëve të cilët nuk i plotësojnë kërkesat për t’u dhënë azil.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara (OKB), rreth 62.190 azilkërkues dhe refugjatë kanë hyrë në Greqi që nga 17 nëntori.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara