Gjermania aktivizon fazën e dytë të planit për furnizimin me gaz

14:33 | 23 Qershor 2022

Gjermania ka aktivizuar fazën e dytë të planit të saj të emergjencës për furnizimet me gaz natyror, duke thënë se vendi përballet me një “krizë” dhe duke paralajmëruar se objektivat e magazinimit për dimër janë në rrezik për shkak të pakësimit të dërgesave nga Rusia.

Qeveria tha se vendimi për të ngritur nivelin e alarmit pason reduktimet në dërgesat ruse të bëra që nga 14 qershori dhe vazhdimin e çmimit të lartë të tregut për gazin.

Ditët e fundit Gjermania njoftoi se do të përpiqet të kompensojë përdorimin e gazit natyror duke rritur djegien e qymyrit, një lëndë djegëse fosile më ndotëse, një veprim që ka shqetësuar ambientalistët.

“Jemi në një konfrontim ekonomik me Rusinë. Gazi, energjia po përdoren si armë kundër Gjermanisë. Nga këndvështrimi im, me synimin për të shkatërruar atë që e ka dalluar vendin në javët dhe muajt e fundit dhe ka dalluar Evropën, domethënë një unitet të madh, një solidaritet të madh me Ukrainën dhe një gatishmëri të madhe për të paguar një çmim të madh për mbrojtjen e lirinë”, tha Ministri i Ekonomisë në Gjermani, Robert Habeck.

Grupi rus Gazprom fajësoi rënien prej 60% të dërgesave të gazit në Gjermani nëpërmjet Nord Stream për një problem teknik. Por qeveria gjermane thotë se është një “vendim politik”, që synon të ndikojë në përplasjen midis Moskës dhe vendeve perëndimore për luftën në Ukrainë.

Ky shkurtim i furnizimeve ka pasur një ndikim të madh në disa vende evropiane, veçanërisht në Gjermani, Itali dhe Francë. /euronewsalbania/

Shpërndaje në rrjete sociale