Gatuhet pica më e madhe në botë, do të ushqejë të pastrehët

22:22 | 23 Janar 2023

Italianët mund të kenë rekordin për picën më të mirë, por me siguri jo më atë për picën më të madhe.

Kompania amerikane Pizza Hut ka vendosur një rekord Guinness me picën më të madhe në botë, pothuajse 1300 metra katrorë. Çmenduria gastronomike u gatua në Los Angeles, ku u nevojit një kapanon për të mbajtur picën gjigante, për gatimin e të cilës u deshën tre ditë pune.

Një kohë e arsyeshme, po të mendosh se janë përdorur 6 tonelata brumë, më shumë se 2 tonelata salcë domateje, 4 tonelata djathë dhe më shumë se 630 mijë feta sallami.

Rekordi i mëparshëm ishte i disa picierë në Romë, që në vitin 2012 krijuan një picë pa gluten, rreth 1200 metra katrorë.

Sipas kompanisë, pica gjigantë do të ndahet në 68 mijë feta që do t’ i shpërndahen të pastrehëve të shumtë të atij qytetit./A2CNN/

 

Shpërndaje në rrjete sociale