Egjipti njofton nisjen e bisedimeve me delegacionin e Turqisë

12:40 | 6 Maj 2021

Delegacionet turke dhe egjiptiane kanë filluar konsultimet politike në Kajro, tha Ministria e Jashtme e Egjiptit.

Zëvendësministri i Jashtëm turk Sedat Onal dhe homologu i tij egjiptian Hamdi Sanad Loza janë duke udhëhequr delegacionet e tyre përkatëse, tha Ahmed Hafez, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme egjiptiane.

Më herët, Ministria e Jashtme e Egjiptit kishte thënë se konsultat politike që do të mbahen më 5-6 maj do të përqendrohen në “hapat e nevojshëm që mund të çojnë në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve në kontekstin dypalësh dhe rajonal”.

Më 15 prill, ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu njoftoi në një transmetim të drejtpërdrejtë se ishte rënë dakord që kanali fillimisht i hapur midis inteligjencës turke dhe egjiptiane të vazhdonte nëpërmjet ministrive të jashtme.

Çavuşoğlu tha se Egjipti kishte ftuar palën turke për vizitë në fillim të majit.

Çavuşoğlu theksoi se pas takimit midis delegacioneve, ai po ashtu mund të takohet me homologun e tij egjiptian.

Turqia dhe Egjipti kanë lëshuar kohët e fundit deklarata mbi lidhjet dypalëshe, duke sugjeruar një rivendosje të marrëdhënieve pas më shumë se shtatë vitesh largim politik.

Të dy vendet shkëmbyen sinjale pozitive mbi vendosjen e kontakteve dhe dialogut, përfshirë mundësinë e zhvillimit të bisedimeve për të demarkuar kufijtë e tyre detarë në Mesdheun Lindor.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara