Departamenti Amerikan i Shtetit tha se rezoluta e miratuar së fundmi në Kongres për të njohur gjenocidin ndaj armenëve nuk pasqyron politikën e administratës së presidentit Donald Trump.
Në një deklaratë të shkurtër të martën, Departamenti i Shtetit tha se qëndrimi i administratës Trump për këtë çështje është i pandryshuar.
Senati votoi njëzëri javën e kaluar për të njohur si gjenocid vrasjen masive të më shumë se 1 milion armenëve nga turqit osmanë një shekull më parë. Dhoma e Përfaqësuesve kishte miratuar më parë një projekt-ligj të ngjashëm me gjithë protestat e ashpra të aleatit të NATO-s, Turqisë.
“Pozicioni i administratës nuk ka ndryshuar”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Morgan Ortagus në një deklaratë të shkurtër me vetëm dy fjali. “Pikëpamjet tona pasqyrohen në deklaratën përfundimtare të presidentit për këtë çështje prillin e kaluar”.
Më 24 Prill, presidenti Donald Trump përkujtoi Ditën e Kujtimit të Armenëve me një deklaratë që nderonte “kujtimin e atyre që vuajtën në një nga mizoritë më të këqija masive të shekullit të 20-të”.
Në përputhje me politikën tashmë të njohur amerikane, deklarata nuk përdorte termin “gjenocid”.
Rezoluta e Senatit pasoi një votim të një komisioni të Senatit për të vendosur sanksione ndaj Turqisë pas ofensivës së saj në Siri dhe blerjes së sistemit raketor rus S-400.
Synimi i Kongresit ishte të nxiste presidentin Trump të merrte një linjë më të ashpër ndaj presidentit turk Reccep Tayyip Erdogan.
Kryetarja Haxhiu pret sot në takim ministren Spiropali
Konjufca pret sot në takim Spiropalin, paralajmërojnë dhe ko...
Elisa Spiropali vizition Kosovën, pritet nga krerët e shteti...
Mot i vranët dhe intervale me diell
Brikena i puthë dorën nënës së Mateos që në takimin e parë
Hill: Nuk kam njohuri për asnjë krim të kryer nga Thaçi