COVID-19: Italia miraton rregulloren që mund ta qojë në bllokim gjysmën e vendit

18:09 | 12 Mars 2021

Qeveria e Italisë i ka miratuar rregulloret që mund ta dërgojnë gjysmën e vendit në bllokim, për shkak të numrit të lartë të të prekurve me COVID-19.

Këto rregullore mund të hyjnë në fuqi nga e hëna e javës së ardhshme, transmeton Klan Kosova.

Kabineti i Kryeministrit italian i ka dhënë dritën jeshile një dekreti që do të kategorizojë rajonet në “zona të kuqe” me rrezik të lartë nëse ato kanë mbi 250 raste javore për 100,000 banorë”.

Të enjten, Italia i ka regjistruar 25,673 raste të reja me COVID-19, si dhe kanë ndërruar jetë 373 persoan që ishin të prekur me koronavirusin, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 101,184 viktima.

Rajonet që përballen me bllokim të plotë nga e hëna përfshijnë Lombardinë, Lazion, Emilia-Romagna, Friuli Venezia-Giulia, Veneto, Piemonte, Marche dhe provincën e Trentos.

Campania dhe provinca Bolzano ishin tashmë në zonën e kuqe dhe do të qëndrojnë atje, ndërsa Abruzzo, Calabria, Liguria, Molise, Puglia, Sicilia, Umbria dhe Lugina Aosta do të jenë në zonën më pak të rreptë në atë portokalli. Sardenja ishte klasifikuar në fillim të këtij muaji në zonën e bardhë me rrezik më të ulët dhe do të qëndrojë atje.

Kufizimet do të qëndrojnë në fuqi deri në fundjavën e Pashkëve, gjatë së cilës i gjithë vendi, përveç Sardenjës, do të klasifikohet si zonë e kuqe.

Lajmet më të lexuara