BE i jep Ukrainës 2,8 miliardë euro ndihmë të re financiare

09:52 | 9 Qershor 2026
E H

Bashkimi Evropian i ka transferuar Ukrainës një këst të ri ndihme financiare prej rreth 2,8 miliardë eurosh, në kuadër të programit “Ukraine Facility”.

Sipas Komisionit Evropian, pagesa u bë pas progresit të Ukrainës në zbatimin e reformave të rëndësishme. Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, tha se shpejtësia dhe angazhimi në reforma kanë justifikuar këtë mbështetje financiare.

Kryeministrja ukrainase Yulia Svyrydenko deklaroi se fondet do të përdoren për shpenzime shtetërore prioritare, përfshirë sektorin social dhe atë humanitar.

Kjo është pagesa e shtatë në kuadër të instrumentit financiar “Ukraine Facility”, përmes të cilit Ukraina mund të përfitojë deri në 50 miliardë euro deri në vitin 2027.

Që nga fillimi i luftës në vitin 2022, BE-ja dhe shtetet anëtare kanë premtuar rreth 205 miliardë euro ndihmë për Ukrainën, që përfshin mbështetje financiare, ushtarake dhe humanitare.