Sipas një zyrtari amerikan, të cituar nga Axios, marrëveshja që Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë pranë nënshkrimit parashikon një zgjatje 60-ditore të armëpushimit, gjatë së cilës Ngushtica e Hormuzit do të rihapej, Irani do të mund të shiste lirshëm naftën dhe do të zhvilloheshin negociata për të kufizuar programin bërthamor iranian.
Megjithatë, shkruan media Axios, nuk është ende e qartë nëse kjo do të çojë në një marrëveshje paqeje afatgjatë që të adresojë edhe kërkesat e presidentit Donald Trump mbi çështjen bërthamore.
Për më tepër, sipas Axios, marrëveshja do të ndalte edhe luftën e Izraelit në Liban, një aspekt që thuhet se ka shqetësuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Shtëpia e Bardhë shpreson që mosmarrëveshjet e fundit të zgjidhen në orët e ardhshme dhe që një marrëveshje të shpallet brenda ditës.
Të dyja palët do të nënshkruanin një memorandum mirëkuptimi (MoU) me kohëzgjatje 60-ditore, i cili mund të zgjatet me marrëveshje të përbashkët.
Gjatë kësaj periudhe 60-ditore, Ngushtica e Hormuzit do të qëndronte e hapur pa tarifa kalimi dhe Irani do të pranonte të pastronte ngushticën nga minat detare.
Në këmbim, Shtetet e Bashkuara do të hiqnin bllokadën ndaj porteve iraniane dhe do të jepnin disa lehtësime nga sanksionet për t’i lejuar Iranit të shesë lirshëm naftën.
Sipas zyrtarit amerikan, Irani kishte kërkuar zhbllokimin e menjëhershëm të fondeve dhe heqjen e përhershme të sanksioneve, por Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se kjo do të ndodhte vetëm pasi të bëheshin lëshime konkrete.
Çështjet bërthamore mbeten ende objekt negociatash: projekti i memorandumit përfshin angazhimin e Iranit që të mos ndjekë kurrë zhvillimin e armëve bërthamore dhe të negociojë pezullimin e programit të pasurimit të uraniumit, si dhe largimin e rezervave të uraniumit shumë të pasuruar, tha zyrtari amerikan.
Sipas dy burimeve të mirëinformuara, Irani u ka dhënë Shteteve të Bashkuara, përmes ndërmjetësve, garanci verbale lidhur me shtrirjen e lëshimeve që është i gatshëm të bëjë për pezullimin e pasurimit të uraniumit dhe heqjen dorë nga materiali bërthamor./atsh
Rama: Më 26 maj në Bruksel hapim fazën përfundimtare të nego...
Hamza takon veteranin që humbi shtatë fëmijë në luftë: Përba...
Osmani e Abdixhiku mbajnë sot takim me bashkatdhetarët në Cy...
Irani: Memorandumi i mundshëm me SHBA përfshin përfundimin e...
Rezidenca në Kiev ku jetonte u shkatërrua nga sulmet ruse, f...
Lamtumirë emocionuese në Santiago Bernabeu: Dani Carvajal i ...