75-vjetori i çlirimit të kampit nazist të përqendrimit Dachau

08:56 | 29 Prill 2020

Dachau, ku ka qenë të burgosur dhe 102 shqiptarë, qe kampi i parë i përqendrimit i nazistëve dhe shërbeu si prototip për shpikjen e rregullave të funksionimit për të gjitha kampet e mëvonshëm.

Kundërshtarë të regjimit nazist, komunistë, të krishterë të angazhuar, hebrenj, sinti dhe romë, dëshmitarët e Jehovait, homoseksualë – menjëherë pas ardhjes në pushtet më 30 janar 1933 nazistët e kishin planin se ç’do të bënin me të gjithë ata që ishin kundër tyre: kampet e përqendrimit.

Kampi i parë i përqendrimit u hap si prototip gati dy muaj më vonë pas ardhjes së tyre në pushtet më 22 mars, në Dachau, në Bavarinë e Epërme. “Në Dachau, u shpikën rregullat e funksionimit për të gjitha kampet e mëvonshëm të përqendrimit”, thotë historiani Wolfgang Benz. Të internuarit e parë që u sollën në Dachau ishin pjesëtarë të rezistencës politike – sidomos komunistë dhe social-demokratë.

“Në gazetat lokale njoftohej në mars 1933 se qe ngritur një kamp përqendrimi, në të cilin komunistët, social-demokratët dhe njerëz të tjerë duhet të mësojnë të punojnë si duhet, dhe ku ata përmes një edukimi të rreptë dhe të fortë do të riintegroheshin përsëri si anëtarë të dobishëm për shoqërinë.” – thotë historiani Wolfgang Benz.

Dachau, maj 1945

Më shumë se 40.000 të vdekur

Të burgosurit mbaheshin atje si skllevër që i përdornin për ndërtimin e rrugëve, në miniera dhe më vonë për prodhimin e armatimeve.

Puna në kampin e përqendrimit në Dachau ishte aq rraskapitëse sa që, sipas të dhënave të kampit, deri në përfundim të luftës aty gjetën vdekjen rreth 32,000 të burgosur. Të parët u vranë vetëm tre javë pas hapjes së kampit.

Historianët madje flasin për më shumë se 41.500 të vdekur, pasi shumë ekzekutime individësh dhe pushkatimi i mijëra robërve rus të luftës nuk janë regjistruan në dokumentet e kampit. Po ashtu qindra të burgosur gjetën vdekjen kur SS nisën 7.000 të burgosur në “marshimet famëkeqe të vdekjes” kur trupat amerikane po afroheshin në jug të Mynihut në prill 1945.

Gjatë dymbëdhjetë vjetëve të sundimit nazist në kampin e përqendrimit në Dachau janë mbajtur të burgosur më shumë se 200,000 vetë nga e gjithë Evropa – ndër ta edhe 102 shqiptarë. Por vdekjet nuk morën fund as pasi Divizioni i 42 i Këmbësorisë e çliroi kampin më 29 Prill 1945, sepse shumë nga të burgosur ishin aq të dobët sa vdiqën pasi mbaroi lufta.

Dachau pas çlirimit nga trupat amerikane

Rrugë e gjatë deri në shpalljen vend përkujtimor

Qyteti i Dachau iu kundërvu për një kohë të gjatë të kaluarës së tij naziste. Në vitin 1955 një anëtar i këshillit bashkiak madje bëri thirrje që ish-krematoriumi i kampit të përqendrimit të mbyllet për publikun.

Ish-kampi i përqendrimit u shndërrua në vend përkujtimor në vitin 1965 falë një nisme të ish të burgosurve të kampit të përqendrimit. Sot ai vizitohet nga rreth 800,000 vizitorë në vit duke qenë vendi përkujtimor më i vizituar ndër kampet e përqendrimit në Gjermani./DW

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara