Trepersona kanë humbur jetën dhe 60 të tjerë janë infektuar nga virusi i Nilit Perëndimor në Greqi, sipas njoftimit të Qendrës së Parandalimit të Sëmundjeve Infektive në Athinë.
Dy prej viktimave, të dy mbi moshën 80 vjeç, jetonin në zonat urbane të Atikës perëndimore. Gjithashtu, në 48 orët e fundit, 12 pacientë u shtruan në spital, pasi kishin simptoma në sistemin nervor qendror, e 4 prej tyre po kurohen në Repartin e Reanimacionit, në terapi intensive.
Sipas specialistëve grekë, numri i rasteve gjatë sezonit të verës pritet që të rritet dhe, me anë të spoteve televizive paralajmërojnë e këshillojnë qytetarët për marrjen e masave të duhura.
“Virusi i Nilit Perëndimor sivjet është përhapur jo vetëm në Greqi, por edhe në vendet fqinje. Shumë raste janë raportuar në vende si Italia, Rumania dhe Serbia, e disa nga pacientët tashmë kanë humbur jetën për shkak të komplikimeve të infeksionit”, tha Athanassios Tsakris, profesor i Mikrobiologjisë Klinike në Universitetin e Athinës.
Virusi i Nilit Perëndimor është një infeksion viral i përhapur në mënyrë tipike nga mushkonjat. Në rreth 75 për qind të infeksioneve, njerëzit kanë pak ose aspak simptoma.
Virusi në fjalë u shfaq për herë të parë pas disa dekadash në Greqi në vitin 2010, në një formë epidemie që përfshiu më shumë se qindra persona, ndërsa numri i viktimave arriti në 35 vetë, kryesisht të moshës mbi 60 vjeç.
Pasi u zhduk për disa vite, virusi u shfaq përsëri vjet dhe sivjet, duke alarmuar organet shëndetësore greke.
ZRRE-ja do ta ulë çmimin për ngrohje
Haradinaj në Ditën e Veteranit: Sulmi mbi familjen Jashari n...
Top 10 vendet me rrugët më të mira në Europë në vitin 2025
Beyonce shpallet miliardere
Dita e Veteranit, Osmani: Përulemi para burrave dhe grave që...
100 aksidente trafiku brenda një dite në Kosovë