Nga kush sponsorizohen dhe cili është synimi i grupeve terroriste në Kosovë?

08:05 | 13 Tetor 2021

Rreziku se Kosovës mund t’i kanoset një “valë”, e shfaqjes së terrorizmit dhe mos menaxhimit me të madje edhe infiltrimi i shteteve jo mike, për ta vendosur Kosovën në një pikë si shtet jo funksional, po shihet të jetë e rrezikshme, shkruan arbresh.info.

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Policia e Kosovës në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, arrestuan pesë persona ditë më parë për terrorizëm e ku u është gjetur edhe një artileri armësh.

E njohës të çështjeve të sigurisë në Kosovë, e kanë përshëndetur arrestimin e fundit të pesë personave për terrorizëm në Kosovë, por që nuk e kanë lënë anash se Kosova duhet të qëndrojë sy hapur karshi këtij fenomeni.

Njohësi i çështjeve për siguri në Kosovë, Fatmir Sheholli, për arbresh.info tha se Kosova duhet të jetë sy hapur karshi terrorizmit dhe se kjo mund të vie nga shtet që nuk ia donë të mirën Kosovës.

“Sa i për ketë kësaj çështje Kosova duhet të jetë shumë sy hapur dhe në këto kontekste të këtyre fenomeneve të cilat në të ardhmen mund të jenë shumë të fabrikueme nga kryesisht shtete të cilat nuk ia donë të mirën shtetit tonë. Duhet të kemi kujdes të jashtëzakonshëm meqë Serbia dhe shtetet jo mike edhe në Beograd me këta të Painkuadruarit dje dhe pardje, e sot janë duke mbajtur takime, munden që Kosovën ta shfaqin dhe shpërfaqin në botën e kësaj  çështje që ka të bëjë me shtetësinë e Kosovës si shtet islamik, si shtet pa ndonjë perspektivë”, tha Sheholli.

Sipas Shehollit dënimi ndaj kësaj kategorie duhet të jetë maksimal fondamental.

Ndërkaq ai tha se prania e sigurisë ndërkombëtare si NATO, e bëjnë shtrirjen e pamundur të këtyre grupeve, pasi që Serbia dhe Rusia do të shfrytëzojnë çdo gjë që Kosova të paraqitet keq.

“Dënimi ndaj kriminelëve dhe atyre të cilët përgatisin ngjarje terroriste në Kosovë duhet të jenë maksimalisht, fondamental, me qëllim që ata që dëshirojnë në të ardhmen me u marr me këtë çështje ta kuptojnë që nuk ka lojë me sigurinë e Kosovës. Prania e forcave të NATO-së, dhe angazhimi mjaftë i mirë në çështjet e sigurisë, e bëjnë të pamundur që këto grupe të shtrihen ashtu në mënyrë të fuqishme në Kosovë. Ne duhet të jemi shumë vigjilent sepse Kosova është në një udhëkryq të asaj që quhet dialog me Serbinë. e Serbia do të shfrytëzoj çdo mundësi dhe formë së bashku me Rusinë që ta paraqesë Kosovën para botës si shtet të tillë, i cili nuk ka perspektiv”, tha Sheholli.

Ndërsa edhe Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve  për siguri në Kosovë, për arbresh.info tha se gjetja e këtij arsenali armësh dhe ndalimi që ky grup terrorist të arrijë caqet e veta është tregues që siguria në Kosovë është funksionale.

“Gjetja e këtij arsenali të armëve tregon gatishmërinë e institucioneve tona të sigurisë, të inteligjencës por edhe të policisë, dhe kem bashkëpunim të shkëlqyeshëm në kuadër të koalicionit global kundër terrorizmit. Çështja tjetër është që një nderë vendet që i kemi riatdhesua 250 persona që kanë qenë qoftë pjesëtar të organizatës terroristë apo kanë qenë familjarë të tyre në zona të luftës. Pra, gjithë kjo tregon që ky hetim i ri me arrestimin e pesë personave tregon një vazhdimësi të organizimit e që është shqetësuese për neve  në disa çështje tjera se nga cilat shtete eventualisht të shtyra apo të sponsorizuara si dhe do të jetë edhe çështja e hetimit”, tha Ibishi.

Ibishi tutje po ashtu tha se problemet e vazhdueshme me Serbinë dhe vetë-sponzorizimi nga ana e saj i këtyre grupeve terroriste e vendos Kosovën në një situatë jo të mirë.

“Ne si vend jemi të ndijshëm në kuptimin e asaj që kemi edhe përfaqësi ndërkombëtare këtu, me ambasada, qoftë me diplomaci ndërkombëtare por edhe me përfaqësi të forcave të armatosura të çështjeve të sigurisë si KFOR-i, dhe EULEX, e kjo e bënë situatën më të ndijshme. Vlen të veçohen edhe problemet me Serbinë, e cila vazhdimësi ka hedhur akuza se kinse në Kosovë po lulëzon, pra këto grupet të terrorizmit, pasi që ajo vetë ka qenë sponzorizuese përmes disa agjensioneve tjera që e bënë më të ndjeshme situatën sidomos në pjesën e Novi Pazarit që ka një ndërlidhje të këtyre grupeve tona me qarqet serbe”, tha Ibishi.

Kujtojmë që të arrestuarit më 10 tetor janë Ardian Qerkinaj, Mentor Bellaqa, Ergim Syla dhe Nehrudin Skenderi, pas një hulumtimi për një vit rresht e që ka kushtuar rreth 2.5 milionë euro.

Gjatë bastisjes janë gjetur materie eksplozive, armë të zjarrta dron, si dhe armë anti-tankë.

Sipas Prokurorisë Speciale ekziston dyshimi i arsyeshëm se të njëjtit persona kanë kryer veprat penale “Përgatitja e veprave Terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës”, lidhur me  veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, si dhe veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Personat e njëjtë dyshohen edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”./S.D/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara