Qorrolli: Vendimi për vizat, para 20 dhjetorit

08:31 | 17 Shtator 2018

Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Vigan Qorrolli, ka thënë se vendimi i Këshillit të Ministrave i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave pritet të merret para datës 20 dhjetor të këtij viti.

Qorrolli në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se sipas dinamikës së vendimmarrjes brenda institucioneve të BE-së dhe të procedurave të mbetura udhëtimi i lirë i kosovarëve në drejtim të Shengenit do të bëhet në çerekun e parë të vitit 2019, respektivisht jo më herët se muaji janar dhe jo më vonë se muaji qershor i vitit të ardhshëm.

Ndërsa duke komentuar iniciativën e Qeverisë së Kosovës përmes ndryshimit të ligjeve pa e ndryshuar Kushtetutën, Qorrolli ka thënë se kjo është një strategji në tentativë, e cila synon t’i bindë partnerët ndërkombëtarë se Kosova është gati ta kalojë fazën përmbyllëse të shtetndërtimit të saj.

Megjithatë sipas Qorrollit, transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës përmes ligjit nuk mund të bëhet, sepse sipas Kushtetutës së Kosovës, rregullimi me ligj mund të bëhet vetëm sa i përket rregullimit të brendshëm, por jo edhe mandati i FSK-së.

Në këtë intervistë Qorrolli ka folur edhe për idenë e “korrigjimit” të kufijve” dhe për rreziqet që mund të dalin nga dështimi i dialogut të Brukselit./Zëri/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara