17 gjyqtarë të rinj fillojnë punën në Prishtinë, Pallati i Drejtësisë s’ka zyre për ta

13:48 | 15 Tetor 2018

Edhe pse ka një hapësirë më të madhe se 50,000 mijë metra katrorë dhe në të janë investuar më shumë se 30 milionë euro nga Bashkimi Europian, Pallati i Drejtësisë si objekt ku janë vendosur Gjykata dhe Prokuroria Themelore e Prishtinës, Gjykata dhe Prokuroria e Apelit dhe Gjykata Supreme, po del të mos jetë zgjidhje afatgjate e problemit të hapësirës.

KALLXO.com mëson se 17 gjyqtarët që do të fillojnë punën në Pallatin e Drejtësisë do të përballen me pengesën e parë, nuk kanë zyre, të paktën deri më sot.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi, për KALLXO.com tha se së shpejti do të fillojnë punën gjyqtarët e rinj por fillimisht duhet t’u gjinden zyre për të punuar.

“Ju njoftojmë se në Gjykatën Themelore në Prishtinë në ditët në vijim do të fillojnë punën 17 gjyqtarët e rinj, por Gjykata ende nuk është njoftuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për datën e saktë të fillimit të punës për këta gjyqtarë. Po ashtu ju njoftojmë se në objektin e Gjykatës Themelore në Prishtinë nuk ka hapësirë (zyre) për vendosjen e gjyqtarëve që pritet të fillojnë punën”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Zëdhënësja Gashi tha për KALLXO.com se lidhur me këtë çështje, Gjykata ka njoftuar me shkrim KGJK-në  për mungesën e hapësirës për akomodimin e këtyre 17 gjyqtarëve në fjalë, si dhe ka kërkuar përfshirjen aktive të KGJK-së sa i përket çështje.

Në anën tjetër, Këshilli Gjyqësor i Kosovës duket se përpos që ka të dhëna tjera për numrin e gjyqtarëve që do të fillojnë punën, ka edhe zgjidhje për vendosjen e gjyqtarëve.

“Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në muajin nëntor të vitit 2018, do të fillojnë punën 20 (njëzet) gjyqtarë të rinj. Për sa i përket sigurimit të hapësirave/zyrave për këta gjyqtarë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në koordinim me Kryetarët e Gjykatës Supreme, Apelit dhe Themelore do të sigurojë hapësira të mjaftueshme përkatësisht zyrë për gjyqtarët e rinj në Pallatin e Drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për KALLXO.com.

Nga vendosja e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Pallatin e Drejtësisë, projekt ky i financuar nga BE, ka pasur disa herë protesta të gjyqtarëve e prokurorëve por edhe të stafit mbështetës në lidhje me kushtet e punës brenda objektit, në veçanti ankesa ka pasur për mungesën e ajrimit./kallxo.com/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara