DnV: Zgjedhjet e 7 qershorit u zhvilluan në përputhje me standardet demokratike

11:49 | 9 Qershor 2026
E H

Organizata Demokracia në Veprim ka publikuar Deklaratën Preliminare për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, duke vlerësuar se procesi zgjedhor është zhvilluar në mënyrë të qetë, konkurruese dhe në përputhje me standardet demokratike.

Sipas Eugen Cakollit nga DnV, procesi është administruar në mënyrë profesionale dhe efikase, duke u mundësuar qytetarëve ushtrimin e të drejtës së votës pa pengesa serioze. Ai theksoi se këto zgjedhje janë mbajtur në një periudhë të pazakontë politike dhe institucionale, duke qenë zgjedhjet e treta parlamentare brenda më pak se një viti e gjysmë.

Cakolli vlerësoi progresin e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në menaxhimin e procesit zgjedhor, por theksoi edhe një rënie të pjesëmarrjes qytetare në votime krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

Ai shtoi se votimi nga diaspora është zhvilluar pa probleme serioze, me mbi 131 mijë të regjistruar dhe rreth 85 mijë pako votash të dërguara me postë, ndërsa pjesëmarrja në përfaqësi diplomatike ka qenë rreth 82 për qind.

Sipas DnV, një nga shqetësimet kryesore të fushatës zgjedhore ka qenë barazia e garës, ku vendimet e qeverisë në detyrë për ndarje të mjeteve financiare për kategori të ndryshme qytetarësh janë vlerësuar si faktor që ka ndikuar në krijimin e një avantazhi të padrejtë.

Megjithatë, Cakolli theksoi se dita e zgjedhjeve ka qenë ndër më të rregulltat në historinë e re të Kosovës, me shumë pak incidente dhe me përmirësime të dukshme krahasuar me proceset e kaluara.

DnV ka njoftuar gjithashtu se po vazhdon monitorimin e procesit të numërimit në të gjitha komunat e vendit me rreth 100 vëzhgues, duke evidentuar edhe disa mospërputhje teknike gjatë procesit.