Statistikat e arsimit 2025/2026: Më pak nxënës dhe studentë në Kosovë

09:14 | 9 Qershor 2026
E H

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka publikuar statistikat e arsimit për vitin shkollor 2025/2026, të cilat tregojnë rënie të numrit të nxënësve dhe studentëve në shumicën e niveleve arsimore krahasuar me vitin paraprak.

Sipas të dhënave zyrtare, numri i fëmijëve në çerdhe dhe institucionet parashkollore ka shënuar rritje.

Gjatë vitit shkollor 2025/2026 janë regjistruar 35.948 fëmijë, ose 1.910 më shumë se një vit më parë, kur numri ishte 34.038.

Në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët janë regjistruar 198.639 nxënës, krahasuar me 208.515 në vitin 2024/2025, duke shënuar rënie prej 9.876 nxënësish.

Në sektorin publik vijojnë të jenë të përfshirë 97,8 për qind e nxënësve, ndërsa 2,2 për qind ndjekin mësimin në institucione private.

Rënie është shënuar edhe në arsimin e mesëm të lartë, ku këtë vit janë regjistruar 62.085 nxënës, nga 63.551 një vit më parë. Prej tyre, 91,6 për qind vijojnë mësimin në shkollat publike.

Edhe arsimi i lartë ka shënuar një ulje të lehtë të numrit të studentëve. Në vitin akademik 2025/2026 janë regjistruar gjithsej 64.671 studentë, krahasuar me 64.817 në vitin paraprak. Në universitetet publike studiojnë 34.208 studentë, ndërsa në kolegjet private 30.463 studentë.

Të dhënat e ASK-së tregojnë se, pavarësisht rritjes në edukimin parashkollor, në nivelet e tjera të arsimit në Kosovë vazhdon trendi i rënies së numrit të nxënësve dhe studentëve.