Vetëvendosje: Kosovës i duhet një qeveri e cila e drejton atë me vizion e projekt transparent

22:32 | 25 Shtator 2019

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë hapjen zyrtare të fushatës zgjedhore nga qyteti i Mitrovicës.

Përmes një shkrimi në facebook, Lëvizja Vetëvendosje thotë se në këtë tubim mijëra qytetarë, të rinj e të reja mbushën sallën e sporteve “Minatori”.

“Kosovës i duhet një qeveri e cila e drejton atë me vizion e projekt transparent, dhe nuk e nënshtron verbërisht në objekt negociatash apo në negociata pa parime”, thonë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Postimi i plotë i Lëvizjes Vetëvendosje:

Nga Mitrovica, me guxim, shpresë e dashuri për veten e për Kosovën tonë, nisëm fushatën për ndryshimet e mëdha që duam t’i shohim të realizuara pas 6 tetorit. Mijëra qytetarë, plot të rinj e të reja e mbushën sallën e sporteve “Minatori” përplot me brohorima dhe entuziazëm, duke mirëpritur Kryeministrin e ardhshëm, Albin Kurtin, bashkë me kandidatët e listët tonë fitimtare.
Kosovës i duhet një qeveri e cila e drejton atë me vizion e projekt transparent, dhe nuk e nënshtron verbërisht në objekt negociatash apo në negociata pa parime.
Mitrovicës, tha kandidati për deputet dhe Kryetari i Qendrës në Mitrovicë, Faruk Mujka, “i duhet një politikë qendrore ku Prishtina na e dëshmon se është më pranë Mitrovicës sesa Serbia”.
Mitrovica është plaga e Kosovës, me fjalët e Liburn Aliut, “të cilën në fillim e ndanë e pastaj e varfëruan për ta nënshtruar e trajtuar si problem të dorës së dytë. Mirëpo, erdhi dita për ta rimëkëmbur Mitrovicën e të gjithë Kosovën”.
Kandidatja për deputete Albulena Haxhiu u shpreh e bindur se qytetarët do ta votojnë Lëvizjen sepse duan vetting në gjyqësi, prokurori, polici e inteligjencë, sepse nuk duan një shtet të kapur, e sepse “kur kapja e shtetit bie, liria jep frytet e veta në çdo fushë e aktivitet njerëzor”.
Ndërsa Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, bëri thirrje plot besim për ta votuar e mbështetur Albin Kurtin si Kryeministër, si figurën politike gjithnjë konsistente, guximtare, të drejtë, në mbështetje të palëkundshme të Mitrovicës dhe gjithnjë në ballë të ngjarjeve e të vërtetave të popullit tonë.
“Lëvizja e lëviz Trepçën dhe Mitrovicën përpara”, kumtoi Albin Kurti, numri një i fitores sonë dhe shtoi se, “nuk zhvillohet ekonomia duke futur në borxh shtetin për të paguar rrogat e për të shtruar asfalt”.
Mes ngazëllimit e fytyrave të qeshura nga e gjithë Mitrovica, Kryeministri i ardhshëm Kurti bëri me dije se erdhi dita e arsimit me dinjitet e me cilësi, erdhi dita e shëndetësisë së garantuar e pa pagesë, dita e barazisë mes burrave e grave, dita e mbrojtjes së punëtorëve e mbështetjes së fermerëve, dita e ringritjes së ekonomisë e stimulimit të biznese. Erdhi dita e ekonomisë pa privatizime, por me politika zhvilimore e inovative për mbrojtjen e mjedisit e zhdukjen e monopoleve dhe për t’u ndërtuar bashkë me ndihmën e mërgatës.
Me ftesën për ta marrë në dorë të ardhmen tonë e për ta kthyer Kosovën kah e mbara, Albin Kurti e përmbylli tubimin me apelin, “le t’i bëjmë krenare gjeneratat që vijnë pas nesh për punën që do të bëjmë pas datës 6 tetor, sepse këto nuk janë thjeshtë një palë zgjedhje. Ky është referendum për të ardhmen, prandaj le të dalim masivisht dhe të shënojmë kthesën historike”.

Fitorja e Lëvizjes nisi nga Mitrovica, me një qeveri të re siç nuk e kemi parë asnjë herë më parë, për drejtësi, barazi dhe zhvillim siç nuk e kemi jetuar kurrë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara