Google premton 800 milionë dollarë në ndihmë të biznesit

18:22 | 28 Mars 2020

Google të premten premtoi se do të kontribuojë me një shifër prej 800 milionë dollarësh për të mbështetur bizneset dhe organizatat shëndetësore që luftojnë koronavirusin. Një pjesë e këtij premtimi përfshin edhe dhurimin e 2 deri në 3 milionë maskave mbrojtëse ​​për fytyrën, për fondacionin CDC (një organizatë jofitimprurëse e pavarur, e krijuar për të grumbulluar burime filantropike financiare, në mbështetje të sektorit privat dhe qendrave të kujdesit shëndetësor dhe kontrollit të sëmundjeve).

Në një postim në blog, CEO i Google, Sundar Pichai, njoftoi se kompania është duke punuar me furnizuesin kryesor Magid Glove & Safety për të rritur prodhimin e maskave në javët e ardhshme. Postimi gjithashtu detajoi përpjekjen më të madhe të Google për të dhuruar para dhe reklama në mbështetje të bizneseve të vogla dhe të mesme, organizatave shëndetësore dhe institucioneve akademike.

Ky fond përfshin 250 milionë dollarë në grante reklamuese për të ndihmuar Organizatën Botërore të Shëndetit dhe agjencitë e tjera qeveritare të japin informacione mbi luftën kundër përhapjes së COVID-19. Do të dhurohen gjithashtu edhe 340 milionë dollarë, duke kredituar përmes Google Ads (reklamat), të gjitha bizneset e vogla dhe të mesme që kanë pasur llogari aktive gjatë vitit të kaluar. Kjo vlerë mund të përdoret nga bizneset në çdo pikë tërheqjeje deri në fund të vitit 2020.

Ndërkohë, 20 milionë dollarë nga llogaritë e Google Cloud do të shkojnë për studiuesit dhe institucionet akademike që po punojnë mbi vaksinat, terapitë dhe të dhënat e tjera që kufizojnë përhapjen e COVID-19. Këtë javë, Business Insider (kompania amerikane e mediave online e njohur për botimin e lajmeve financiare) raportoi se Google ishte duke rritur financiarisht programin “donacionet për punonjësit” deri në 10,000 dollarë në vit.

Në një memorandum për stafin këtë javë, Pichai gjithashtu u kërkoi punonjësve të dilnin vullnetarë gjatë pandemisë. Ky është shembulli i fundit i qasjes teknologjike për të ndihmuar në luftën kundër përhapjes së COVID-19.

Apple sapo lëshoi ​​një aplikacion ekzaminimi COVID-19 të mbështetur nga CDC, ndërsa Alphabet’s Verily, një organizatë shkencore dhe kërkimore që studion mikroorganizmat, bimët dhe qeniet njerëzore, është duke ndërtuar faqet e saj online të testimit ndaj Covid-19, në Kaliforni.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara