Detajet kryesore nga konferenca e Microsoft-it për Windows 10

22:21 | 10 Shkurt 2015

Konferenca e mbajtur nga Microsoft, solli shumë detaje interesante jo vetëm pse u prezantuan shumë veçori të reja të sistemit operativ Windows 10, por se aty u prezantuan edhe disa pajisje që kohë më parë vetëm se mund të imagjinoheshin, transmeton itshqip. Ne në këtë artikull ju sjellim detajet kryesore nga kjo konferencë.

windows 10 pa pagese

  1. Windows 10 do të mund të përditësohet falas

Njëra prej risive kryesore padyshim se është mundësia e përditësimit në Windows 10 pa pagesë. Pra nëse jeni duke përdorur sistemet operative Windows 7, Windows 8.1 ose Windows Phone 8.1 (normalisht me licencë) ju do të keni mundësi që ti përditësoni pa pagesë në Windows 10 brenda vitit të parë që lëshohet në shfrytëzim Windows 10.

cortana

  1. Cortana vjen edhe për PC

Për planin e Microsoft-it për të sjellë ‘Cortana’ për PC kishte kohë që flitej nëpër portale të ndryshme, por gjatë kësaj konference kjo u bë zyrtare. Në Windows 10 do të mund të përdoret asistenti virtual ‘Cortana’, për të diktuar mesazhe, për të kërkuar në ueb apo për shërbime tjera. ‘Cortana’, gjithashtu mund të përdoret në shfletuesin e ri nga Microsoft të quajtur ‘Spartan’.

spartan

  1. Ueb shfletuesi Spartan

Spartan, është ueb shfletuesi më i ri nga Microsoft për Windows 10. Është i ndërtuar për të qenë shumë i shpejtë, i lehtë dhe tepër i sigurtë, karakteristika që mungojnë tek Internet Explorer. Spartan mundëson që të lexoni më lehtë ueb faqet, duke krijuar një listë të atyre ueb faqeve e që më pas mund ta ndani me të tjerët. Gjithashtu, asistenti virtual ‘Cortana’ do të mund të përdoret për të kërkuar bileta për fluturime, apo funksione tjera.

mobile

  1. Windows 10 për pajisje mobile

Microsoft kishte kohë që kishte paralajmëruar se Windows 10 do të mundësohet edhe për pajisjet mobile, por nuk kishte dhënë informacione se si do dukej ky sistem operativ tek këto pajisje. Por gjatë kësaj konference u dhanë edhe këto informacione. Windows 10 për pajisje mobile do të jetë sistem operativ ku përfshihen veçori nga sistemi operativ Windows 10 për kompjuterë dhe sistemi i vjetër operativ për pajisje mobile. Qendra e njoftimeve që do jetë tek kompjuterët, gjithashtu do jetë pothuajse e ngjashme edhe tek pajisjet mobile, si dhe do ketë aplikacione universale që punojnë edhe në kompjuterë edhe në pajisje mobile. Gjithashtu tek pajisjet mobile tastiera do jetë dukshëm më e mirë se tek versionet paraprake.

xbox

  1. Integrimi me XBOX

Microsoft ka ndërtuar për Windows 10 një aplikacion të posaçëm  për lojëra përmes së cilit mund të shikoni lojërat tuaja dhe aktivitetin tuaj në ato lojëra, si dhe të ndani këto aktivitete me të tjerët. Gjithashtu ju mund të luani disa lojëra edhe përmes Xbox-it edhe përmes kompjuterit, pra ju mund të luani një lojë në Xbox së bashku me shokun tuaj i cili ka një kompjuter me sistemin operativ Windows 10. Gjithashtu Microsoft njoftoi se do ketë edhe shumë aplikacione tjera universale që do punojnë edhe në Xbox edhe në kompjuterë, për të cilat do njoftohet më vonë.

surface-hub

  1. Surface Hub

Microsoft tani është futur edhe në tregun e kompjuterëve AIO (të gjitha në një). Njëra prej risive kryesore të prezantuara në këtë konferencë padyshim që ishte ‘Surface Hub’, me madhësi prej 84 inçësh, si dhe me teknologjinë 4K të integruar për t’u përdorur për takime apo prezantime tjera grupore. ‘Surface Hub’ është i pajisur me disa kamera, mikrofona si dhe senzorë të ndryshëm, si dhe me lapsin digjital magnetik që ju mundëson ta shndërroni ‘Surface Hub’ në një tabelë të bardhë në të cilën mund të shkruani dhe vizatoni diagrame të ndryshme. Edhe versioni për biznese i ‘Skype’ është i integruar në të, si dhe në fund të takimit çdo projekt i paraqitur në ‘Surface Hub’ mund të ndahet me pjesëmarrësit e takimeve apo prezantimeve tjera grupore.

holographic

  1. Imazhe holografike

Nga gjithë ato prezantime që Microsoft bëri gjatë kësaj konference, teknologjia e imazheve holografike, ngjalli më shumë kureshtje tek pjesëmarrësit e konferencës. Pra, Microsoft njoftoi së në Windows 10 do të jetë e integruar teknologjia e cila përkrahë ekranet holografike. Dhe për ta bërë edhe më interesante Microsoft prezantoi syzet e realitetit virtual të quajtura ‘HoloLens’, përmes së cilave objektet e paraqitura në formë të imazheve holografike do të dukeshin si objekte reale./.itshqip

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara