Amazon hap edhe 100,000 vende pune

14:53 | 14 Shtator 2020

Amazon njoftoi të hënën se do të hapë edhe 100,000 vende pune, për të plotësuar kërkesat e konsumatorëve, të cilat janë në rritje prejse ka nisur pandemia e koronavirusit në muajin mars.

Kompania më e madhe e shitjeve online tha se pozitat e reja në SHBA dhe Kanada janë për punë me orar të plotë dhe të pjesshëm.

Kompania, me seli në Sietëll, ka pasur të punësuar 876,800 persona deri më 30 qershor, përjashtuar kontraktorët dhe personelin e përkohshëm, shkruan rel.

Pasi shumë njerëz, gjatë pandemisë, u janë kthyer blerjeve online, Amazon ka raportuar rritje të të ardhurave për 40 për qind në tremujorin e fundit dhe fitimin më të madh në historinë 26-vjeçare të kompanisë.

Alicia Boler Davis, nënpresidente e Amazonit, tha se kompania është ende duke vlerësuar nëse do të punësojë më shumë punëtorë – jashtë këtyre 100,000 – përpara festës së Krishtlindjes.

Më herët këtë muaj, Amazon ka njoftuar për hapjen e 33,000 pozitave për punëtorë të korporatave dhe teknologjisë.

Në mars ka hapur 100,000 vende pune, ndërsa në prill 75,000, duke u bërë një nga kompanitë e pakta që është zgjeruar gjatë kohës së pandemisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara