United e Arsenal, nën presion nga Liverpol

08:23 | 5 Mars 2015

Një gol i shënuar në pjesën e parë dhe një në të dytën i mjaftuan skuadrës së Liverpoolit që të arrijë kështu fitoren e radhës ndaj Burnleyt në kuadër të Premier Ligës.

Skuadra vendase, ndonëse po e zhvillonte ndeshjen e tretë brenda 7 ditëve, nuk u tregua e mëshirshme në asnjë rast ndaj mysafirëve duke sulmuar që nga minutat e para të ndeshjes.

Goli i parë erdhi në minutën e 29-të nga Jordan Henderson. Tentimin e parë drejt portës e bëri Coutinho, por topi u kthye mbrapa dhe Henderson me të parën goditi për ta çuar skuadrën e tij në avantazhin prej 1 me 0.

6 minuta pasi filloi pjesa e dytë, erdhi edhe goli i dytë për vendasit. Kësaj radhe ishte Daniel Sturridge ai i cili realizoi me kokë pas një asistimi nga golashënuesi i parë, Henderson.

Deri në fund të ndeshjes pati edhe disa raste nga të dyja skuadrat, por rezultati nuk pësoi ndryshim.

Liverpool tani pozicionohet në vendin e pestë me 51 pikë, 2 më pak se Manchester United në vendin e 4-të dhe 3 më pak se Arsenal në vendin e tretë me 54 pikë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara