U tha se u largua nga Flamurtari, flet Arsim Thaqi

07:46 | 8 Shtator 2018

Flamurtari është befasia e këtij fillim sezoni të ri të Ipko Superligës së Kosovës.

Klubi nga kryeqyteti në krye të trajnerit ka Arsim Thaqi, i cili është duke bërë punë të jashtëzakonshme, duke ditur problemet që ka klubi kuqezi.

Të gjithë e dimë, se Flamurtari mbijetesën e siguroi në barazh duke mposhtur Kosovën e Vushtrrisë dhe kush e ka menduar se do të ketë këtë super start të sezonit, shkruan arbresh.info.

Deri më tani janë zhvilluar tri javë, dhe të gjitha janë fitore, duke përfshirë edhe fitoren ndaj kampionit aktual, Dritës dhe renditen në vendin e parë të tabelës.

Ish trajneri i KF Prishtinës, ka arritur që të bëjë një skuadër mirë të organizuar dhe kompakte dhe tejet stabile.

Mirëpo, janë rikthyer problemet e vjetra tek ky klub, mos kryerja e obligimeve ndaj lojtarëve dhe trajnerit.

Në një intervistë për Arbresh.info Sport, trajneri Arsim Thaqi ka rrëfyer të gjitha skenarët që po ndodhin tani.

Si e cilësoni deri më tani sezonin e Flamurtarit, pas startit të furishëm në tri ndeshjet e para?

“Po atëherë, mas Prishtinës llogaritë që kam pasur një sezon shumë të mirë me Prishtinën, edhe mas sezonit të mirë është dashur të largohem nga posti i trajnerit në atë të drejtorit. Edhe pse te Prishtina kam pasur 16 fitore , një barazim dhe dy humbje në kampionat, mirëpo në futboll, sidomos në Kosovë këto gjëra nuk shkojnë shumë mirë, ashtu qysh ishte dashur që të shkonin realisht edhe normal pjesën tjetër te Prishtina e kam kryer si drejtor sportiv. Mendoj se kam arritur deri tani mjaft rezultate pozitive, duke ngritur nivelin e lojtarëve, qoftë profesionalizmin e Flamurtarit. Deri tani ka shkuar gjithçka mirë. Ajo që mua më ka interesuar është mosha ime, për shkak se kam dashur që moshën time ta shfrytëzojë për zejën e trajnerit. Mendoj se personalisht kam pasur rezultate pozitive”.

Si e prite ofertën e Flamurtarit, për të marr postin e trajnerit të klubit?

Ofertën e klubit të Flamurtarit për t’u kthyer si trajner, e kam pritur jashtëzakonisht shumë mirë, duke e ditur se Flamurtari është një klub me traditë, klub i kryeqytetit dhe ideja ime ka qenë edhe nëse nuk arrijmë asgjë, atëherë më rikthye Flamurtarin në stabilitet dhe për ta kthyer derbin me Prishtinën. Duke e ditur se në të kaluarën ka qenë derbi i kryeqytetit.

Në çfarë gjendje e gjetët Flamurtarin?

Kam pasur shumë problem, sidomos në fillim për shkak se vitet e fundit Flamurtari nuk ka qenë klub stabil, ka pasur problem organizative, ekonomike, probleme me paga. Ka pasur shumë probleme sezonin e kaluar, por edhe ka pasur fat. Me vetë faktin që mbetur në superligë edhe këtë edicion, duke e ditur se Vëllaznimi ishte 20 pikë përpara Flamurtarit dhe nuk arriti ta siguronte mbijetesën, ndërsa Flamurtari shkoi në barazh dhe e siguroi mbijetesën.

Ideja im ka qenë për një riorganizim, qysh në takimin e parë me drejtuesit e klubit, me kryetarin e klubit Ymer Ademi dhe trajnern që kam shumë respekt për të, Jusuf Tortoshi, i cili është pjesë e klubit dhe drejtorin sportive, Agim Hasani.

Cilat ishin sfidat më të vështira në fillim tek Flamurtari?

Kam pasur problem për të sjellur lojtarë në klub, shumica e lojtarë kanë hezituar për t’u transferuar në klub, për shkak të problemeve të viteve të fundit. Normalisht, kjo është vetëm në vitet e fundit për shkak se në të kalurën Flamurtari ka pasur emër në futbollin kosovar, një ekip me traditë dhe tifozëri të zjarrtë.

Por, unë kam gjetur një mënyrë për të sjellur lojtarë të ri në klub, duke shfyrtëzuar respektin e ndërsjelltë me disa futbollistë. Po ashtu e kam shfyrtëzuar Prishtinën, për të njohur më shumë futbollistë dhe e kam krijuar një grup me karakter dhe potencial. Në këtë grup futbollistësh kam autoritet dhe është një atmosferë e jashtëzakonshëme.

Keni pasur një sezon fantastik me Prishtinën, por u larguat nga pozita e trajnerit?

Fillimisht unë habitna, kam pasur një përvojë jo të mirë këto vitet të fundit, mas shumë rezultateve të mira është dashur që largohem nga pozita e trajnerit. Tash, herën e fundit problemet me Flamurtarin, është raportuar se kam dhënë dorëheqje. Nuk kam dhanë dorëheqje, mirëpo unë kam insistuar tek bordi, që të kryehen obligimet ndaj lojtarëve dhe stafit, që të vazhdohet puna dhe rezultatet positive. E tash po foli për këto vitet e fundit, në rast se isha larguar tani nga Flamurtari, nuk do të kisha shkuar te ndonjë klub tjetër deri në fund të sezonit. Te Prishtina kam pasur një presion shumë të madh, edhe nga mediat dhe analistave të futbollit. Më kujtohet ndeshja ndaj Lirisë në Drenas, kur kemi fituar ndeshjen me një lojtar më pak në fushë prej minutës së 60-të dhe të gjithë shkruanin se si Liria luajti, si u organizua nga Bledi Shkëmbi dhe jo për Prishtinën që fitoi me një lojtar më pak dhe se Liria arriti të merrte atë që deshti. Pak a shumë, kjo më detyron të mendojë se çfarë ndodh tek ne kështu. Arsyeja kryesore pse unë jam larguar nga Prishtina është se ata kanë dashur të bëhën sigurtë kampion, ani unë pse në sezon pranverore nga 11 ndeshje kisha arritur 10 fitore, dhe prapë nuk isha bindës se mund ta drejtoja Prishtinën drejt titullit të kampionit.

Prishtina emëroi Mire Josën, si zëvendësues i juaj?

Mirel Josën e kanë emëruar duke ia ditur biografin e tij me Skëndërbeun, pasi që e kishte shpallur kampion. Por, unë mendoj se Josa nuk i ka arritur qëllimet e drejtuesve të Prishtinës. Qëllimi i ardhjes së Josës në krye të Prishtinës, ka qenë me ba kampion Prishtinën dhe jo me fitu kupën. Prishtina edhe sezonin e kalur dhe tani në këtë ka ekipin më cilësore. Drejtuesit e klubit janë më të butë në raportet me Josën, se sa me trajnerët që i kanë pasur.

Cila është filozofia jote dhe cilët futbollistë janë shtyllat e Flamurtarit?

Trajneri është si arkiteti, kur e merr një ekip e ndërton dhe e përgatitë, në bazë të buxhetit të klubit dhe ambicieve që ka klubi.

Tash, une te Flamurtari shumicën e lojtarëve që kam thirrë me ardh te klubi, kanë refuzuar, jo për shkak meje si trajner, për shkak të problemeve që Flamurtari ka pasur vitetet e fundit. Këta lojtarë që kanë ardhur, kanë ardhur me vetëbesim dhe dëshirë, dhe kjo më bën të lumtur.

Agron Bruçi, është mesfushor defanziv, sezonin e kaluar ka luajtur me Kek-un, lojtar që po tregon se është nivel i Superligës. Tjetër futbollist është ish mbrojtësi ganez i Prishtinës, i cili nuk kishte gjetur shumë hapësirë tek Prishtina. Lorik Maxhuni dhe Gentrit Durmani në anën e majtë, plus kapiteni, Veton Kabashi, dhe portieri Flamur Neziri, pra kam krijuar një vijë të fundit shumë të fortë dhe të mirë.

Formë të po kalon edhe sulmuesi Alban Shillova, i cili deri më tani ka shënuar tre gola.

A do të vazhdoni me Flamurtarin?

Kam pasur oferta nga KF Ballkani, por asgjë konkrete. Problemi kryesor me Flamurtarin ka qenë me trajtimin e lojtarëve pas këtyre rezultateve, klubi ka pasur disa borxhe të rexhistruar nga sezonin i kaluar te disa lojtarë dhe pjesë tjetër ka të bëjë me këtë sezon. Çështja është se kam kërkuar që kryesia e klubit të ballafaqohet me futbollistët dhe t’iu tregojnë se obligimet do të kryehen. Klubi ka filluar të kryejë obligimet, pjesa tjetër e problemit është se klubi është duke u shndërruar nga OJQ në shoqëri aksionare, ndoshta edhe për këtë nuk ka arritur të bëjë pagesa. Unë kam shumë lojtarë që bajnë familje dhe udhëtojnë dhe për këtë kam kërkuar reagim nga klubi, por klubi dje ka filluar të reagojë dhe kanë premtuar se deri të hënën do të kryehen të gjitha obligimet.

Në fund ai ka shtuar se duhet të respektohen të gjithë kontribuesit e futbollit, sponozorët, njerëzit e ndryshëm, që kontribojnë në mënyra të ndryshme për ta ngritur futbollin kosovar, po ashtu ka përshëndetur kryetarin e Flamurtarit, Ymer Ademi, i cili ka kontribuar ekonomisht vitet e fundit. Por, duhen të respektohen trajnerët, futbollistët dhe stafi teknik.

Tashmë, Flamurtari po krahasohet me klubin anglez, Watford, pasi edhe ata kanë filluar sezonin furishëm në Premierligë, duke fituar katër ndeshjet e para dhe renditen në vendin e tretë të tabelës.

Mbetet të shihet, se a do të arrijë Flamurtari t’i tejkalojë problemet dhe ta vazhdon këtë formë të mirë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara