Transformimi i pabesueshëm i trupit të Wilderit që nga Lojërat Olimpike 2008

08:39 | 14 Shkurt 2020

Kampioni i WBC në kategorinë e peshave të rënda në boks, Deontay Wilder, e ka transformuar në mënyrë drastike trupin e tij që nga viti 2008, kur e kishte fituar medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike.

34-vjeçari kishte qenë ende boksier amator kur ishte zgjedhur për t’i përfaqësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Lojërat Olimpike 2008 në Kinë, shkaku i rekordit të tij prej 30 fitoreve e pesë humbjeve, transmeton Gazeta Express.

Wilder kishte arritur deri në gjysmëfinale, ku pësoi disfatë në ndeshjen kundër italianit Clemente Russo. Megjithatë, nga ky event i madh ai u largua me një medalje të bronztë.

Megjithatë ajo që u ka bërë përshtypje tifozëve të tij në rrjete sociale është fiziku i boksierit, që njihet si “artisti i nokauteve”, pasi që muskujt e tij ishin shumë më pak të definuara sesa që i ka tani.

Tani, Wilder do të ballafaqohet me Tyson Furyn në Las Vegas më 22 shkurt, për titullin e botës në WBC, pronar i të cilit është amerikani.

Meçi i parë mes tyre në dhjetor të 2018-es mbaroi me barazim kontrovers, me amerikanin që e rrëzoi në dysheme dy herë Furyn, edhe pse edhe anglezi pretendoi se fitorja i takonte atij.

“Kur dikush të rrëzon, këtë gjë nuk e harron kurrë, e as mënyrën sesi je rrëzuar”, tha Wilder.

Duke folur të martën mbrëma në një konferencë për media në SHAB, 34-vjeçari shtoi: “Thellë brenda ndiej se Fury është nervoz, bile shumë nervoz me atë që ndodhi herën e parë”.

“Kur futesh në ring për herën e dytë duhet të jetë stresuese dhe patjetër të lë pa gjumë natën. Ai është i merakosur dhe nuk mendoj se vetëbesimin e ka të lartë, për shkak të asaj që ia kam bërë në meçin e parë”, shtoi ai.

Të dy boksierët janë të pamposhtur si profesionistë dhe barazimi në Los Angeles para 14 muajve është hera e vetme që ata nuk e kanë fituar një meç profesional.

Lajmet më të lexuara