Trajneri malazias para ndeshjes kundër Kosovës: Asnjë ekip ndaj nesh nuk është favorit

15:12 | 10 Tetor 2019

Malaziasit synojnë të nxjerrin pikë në duelin e 14 tetorit me “Dardanët” në Prishtinë. Ata janë në kërkim të fitores së parë në fazën kualifikuese të Euro 2020.

Mali i Zi nuk e ka shijuar ende fitoren në fazën kualifikuese të Euro 2020. Ata i kanë grumbulluar vetëm dy pikë në 5 ndeshje, por ata e synojnë fitoren e parë në duelet e tetorit, ndaj Bullgarisë dhe Kosovës.

Trajneri Faruk Hadzibegic po mundohet t’i motivojë lojtarët e tij para duelit të 14 tetorit ndaj “Dardanëve”.

Mali i Zi do të kërkojë pikë në ndeshjen që do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

“Vetëm rezultatet pozitive mund ta ndryshojnë situatën në kampin tonë. Jemi të vetëdijshëm se ku gjendemi, por atmosfera është mjaft e mirë. Thjesht mungon një fitore për ta bërë mjedisin tonë edhe më të mirë. Në momentin kur jemi të kompletuar, kur kemi atmosferë, ne jemi të vërtetit dhe asnjë rival nuk do të jetë favorit ndaj nesh”, është shprehur Hadzibegic në konferencë për shtyp sot.

Mali i Zi do të luajë nesër mbrëma me Bullgarinë në Podgoricë, kurse të hënën do të zbarkojë në “Fadil Vokrri” për t’u përballur me Kosovën.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara