Tjetër rikthim në Evropë, Aubameyang dërgon në çerekfinale Arsenalin

23:03 | 14 Mars 2019

Arsenali ka arritur t’i shmanget eliminimit mbrëmjen e sotme (e enjte) në Evropa Ligë duke vazhduar tutje.

Gjiganti londinez ka mposhtur me rezultat të thellë 3 me 0 skuadrën franceze Rennes në takimin kthyes të zhvilluar mes tyre në kuadër të xhiros së 1/8-ës, shkruan portali arbresh.info.

Pas disfatës tronditëse të pësuar me rezultat 3 me 1 në Francë javën e kaluar, skuadra e Unai Emery kishte një detyrë mjaftë të vështirë për takimin kthyes në Emirates.

Pierre Emerick Aubameyang realizoi golin e epërsisë pas vetëm pesë minuta lojë, ndërsa Ainsley Maitland Niles dyfishoi shifrat vetëm dhjetë minuta më vonë.

Golin e tretë dhe të fundit e shënoi reprezentuesi gabonez gjatë pjesës së dytë për të finalizuar me sukses rikthimin e jashtëzakonshëm në Londër.

Rivali i ardhshëm i “Topçinjve” do të mësohet pas hedhjes së shortit në pasditen e së premtes./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale