Thyhen dhe dëmtohen zyrat në stadiumin e Trepçës ‘89

12:04 | 16 Shtator 2019

Trepça ’89 ka njoftuar se janë thyer dhe dëmtuar zyrat e klubit në stadiumin Riza Lushta në Mitrovicë, dy ditë para derbit me Prishtinën, dhe se policia ka nisur hetimet për identifikimin e përgjegjësve.

Klubi mitrovicas ka thënë në një postim në rrjetet sociale se nuk dihet saktë se cili është dëmi i shkaktuar dhe se është në pritje të përfundimit të hetimit.

Ky incident vjen tri ditë pas Trepça ’89 u mund 3:2 nga Ballkani në Suharekë, por klubi vë dyshime se dëmet janë shkaktuar nga “disa të rinj përdorues të substancave narkotike”.

“Sot në orët e hershme të mëngjesit thyhen dhe demolohen zyret e Stadiumit Riza Lushta në Mitrovicë. Rasti është ndër hetime dhe deri sa të përfundojnë hetimet nuk dihet saktë se sa është dëmi i shkaktuar. Nuk është hera e parë që ndodhin këso gjërash të pahishme siq dihet vite më parë ju është vënë edhe flaka Stadiumit”, thuhet në njoftimin e Trepçës.

Klubi nga Mitrovica u ka bërë thirrje organeve të rendit të dërgojnë më shumë patrulla policore rreth stadiumit.

“Kërkojmë nga organet e rendit dhe sigurisë për të cilët kemi besim të plotë që të ketë më shumë patrullime sepse po ka rast kur edhe disa të rinj për të cilët dyshohet se janë përdorues të substancave narkotike të cilët janë parë shumë shpesh afër Stadiumit”, thuhet tutje në njoftim.

Trepça renditet e shtata në Ipko Superligë me 5 pikë pas katër ndeshjeve të para në sezonin e ri 2019/20.

Në ndeshjen e ardhshme, Trepça e pret Prishtinën në Riza Lushta, në derbin që zhvillohet në mesjavë, më 18 shtator.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara