The Guardian: Anglia kurrë më nuk do të mirëpritet në një terren mysafir ashtu si u prit në Prishtinë

13:55 | 18 Nëntor 2019

Anglia, kurrë më, nuk do të mirëpritet në një terren mysafir ashtu siç u prit nga njerëzit e Kosovës në Prishtinë. Kështu e nis artikullin e radhës The Guardian duke iu referuar asaj që ndodhi në vendin tonë me rastin e ndeshjes ndaj Tre Luanëve.

Në anën tjetër, për Raheem Sterling ishte padyshim mënyra më e mirë për t’u kthyer në normalitet pas një jave kundërthënëse që pati. Zënka ndërmjet anësorit të Manchester Cityt dhe mbrojtësit të Liverpoolit, Joe Gomez, ishte bërë kryetemë në mediat sportive.

Kjo çoi në suspendimin e Sterlingut për ndeshjen ndaj Malit të Zi në Wembley, porse trajneri Gareth Southgate e riktheu atë në formacioni startues në sfidën ndaj Dardanëve në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ndërkaq, duke iu referuar abuzimeve të mëhershme racore nga tifozët e përfaqësueseve tjera, në Prishtinë u vendosën disa banerë në mbështetje të futbollistit anglez.

Mbështetja e madhe dhe shprehja e falënderimit vazhdoi edhe në stadium, ku u ngritën flamuj të Anglisë gjatë intonimit të himnit, si edhe u shpalosën banerë kundër racizmit. Edhe pse skuadra e tyre e zemrës (Kosova) pësoi humbje, kjo nuk e heshti entuziazmin dhe dashamirësinë e tifozëve vendas në raport me ekipin mysafir.

 

Kjo mikpritje dhe dashamirësi është pikërisht ajo që i nevojitej përfaqësueses së Anglisë dhe Sterlingut për ta tejkaluar një javë problematike dhe për t’i lënë prapa skenarët si ato që ndodhën brenda ekipit gjatë javës që lamë pas.

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara