Thaqi: Kështu do të luajë Prishtina ndaj Norrkopingut

20:43 | 5 Korrik 2017

Trajneri i Prishtinës, Arsim Thaçi tha se ekipi i tij është i gatshëm për lojën që zhvillohet nesër ndaj klubit suedez, Norrkoping.

“Ndryshime do të ketë në formacion, jam i interesuar t’ua jap rastin lojtarëve të rinj që i kemi marrë së fundmi. Është me rëndësi për ne si klub dhe për ta se si do të funksionojnë në një ndeshje shumë të fortë. Miftaraj në pjesën e dytë më ka lënë përshtypje dhe e ka merituar që këtë ndeshje të startojë nga fillimi. Pjesa tjetër, pak a shumë ata që kanë luajtur në ndeshjen e kaluar”, tha Thaqi.

Ai po ashtu tha se janë gati për këtë ndeshje dhe të vetëdijshëm për forcën e kundërshtarit.

“Normal që jemi të gatshëm ta presim kundërshtarin qysh na ka pritur ne. Gjithçka ka qenë perfektë, përpos golave, për mua si trajner. Kemi qenë të vetëdijshëm për forcën e kundërshtarit dhe tash jemi të vetëdijshëm se e kemi kundërshtarin e njëjtë me forcën e njëjtë. Nëse arrijmë t’i përmirësojmë gabimet që i bëmë në aspektin defanziv por edhe në konkretizim, atëherë do të kishim qenë shumë të kënaqur”, vazhdoi ai.

Thaçi po ashtu premtoi se tifozët nesër do të shohin ndeshje të mirë, pavarësisht rezultat në ndeshjen e parë, ku Prishtina u mposht 5:0 në udhëtim.

“Ajo që është me rëndësi për ata që do të vijnë me pa ndeshjen, besoj se do të jetë ndeshje shumë e fortë, shumë cilësore dhe se nuk do të dihet deri në fund se kush do të jetë fituesi”.

Ndeshja ndërmjet FC Prishtinës dhe Norrkoping do të zhvillohet nesër nga ora 19:00 në stadiumin ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara