“Synojmë ta fitojmë titullin edhe pse është mjaft vështirë”

10:05 | 8 Shkurt 2020 | Edonis Bytyqi

Objektivi kryesor i klubit volejbollistik te femrat, M-Technologie është fitimi i titullit dhe Kupa e Republikës.

Këtë gjë e ka bërë të qartë menaxheri dhe njëkohësisht trajneri i klubit, Naser Krasniqi. Sipas tij me përforcimet e reja do arrijnë të sjellin trofeun e titullit në Prishtinë.

Krasniqi në një intervistë për portalin arbresh.info, deklaroi se janë të kënaqur me merkaton dimërore dhe synimi kryesor është titulli.

“Synimet tona qysh nga fillimi i sezonit, kampionati 2019/20 kanë qenë të qarta, objektivat tona është se sivjet pas një kohe ta kthejmë titullin në Prishtinë dhe Kupën e Republikës. Me merkaton e janarit jemi të kënaqur pjesërisht pasi kemi liruar lojtaren tonë braziliane dhe kemi marrë një lojtare mjaftë të mirë me kualitet të lartë që vjen nga shteti i Kubës”, tha ai.

Ndërkohë, Krasniqi tha se nuk do jetë e lehtë sepse klubet si Drita, Skenderaj dhe Kastrioti kanë skuadër mjaftë të mirë dhe kanë transferuar disa përforcime.

“Besojmë që do ta fitojmë titullin edhe pse nuk do jetë lehtë për arsye se katër skuadra luftojnë për titull, duke marrë parasysh se secila skuadër është munduar të bëjë disa ndryshime, disa përforcime siç është ekipi i Dritës, i cili që disa vite është kampion i Kosovës, po ashtu e kemi Skenderajin që ka një ekip mjaftë të mirë me lojtarë vendorë dhe me disa përforcime nga jashtë dhe ekipi i Kastriotit”, u shpreh ai.

Krasniqi beson se cilësia e volejbollit është duke pasur rritje sepse janë duke u bërë investime të mëdha, por për të pasur më shumë rritje duhet të angazhohen më shumë me gjeneratat e reja.

“Cilësia e volejbollit nëse e krahasojmë me vitet e kaluara dallon, ajo që e bën të veçantë kohën e fundit është se shumë ekipe kanë bërë investime të ndryshme dhe kanë krijuar rivalitet të paqartë deri në fund të kampionatit. Cilësia ka ngritje, por mbetet të punohet shumë më tepër sidomos me gjeneratat e reja”, përfundoi ai.

M- Technologie për momentin renditët në pozitën e dytë në tabelë me 24 pikë, një më pak se Skenderaj që është lider në Superligën e Femrave për volejboll./E.Bytyqi

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara