“Synoj Kupën e Botës, këtë vjeshtë filloj me garat”

13:05 | 11 Korrik 2020 | Edonis Bytyqi

Synimi kryesor mbetet Kupa e Botës, ndërsa këtë vjeshtë nisi me garat në Federatën e Muaythait.

Kështu është shprehur kampioni i shtatëfishtë i Kosovës, Valmir Hoti, në një intervistë për arbresh.info.

Ai tha se dëshiron që të këtë një karrierë të vyeshme me suksese të shumta në Federatën e Muaythait.

“Synimet e mia janë që me fillu një karrierë më të vyeshme në Federatën e Muaythai, por ishalla do na presin edhe suksese të ardhshme”, theksoi fillimisht ai.

Hoti, i cili në vitin 2017, fitoi medaljen e bronztë në Kupën e Botës, zbuloi se konkurrenca ishte shumë e vështirë, shkaku që kishte garues të shumtë.

“Aty ka qenë konkurrencë mjaft e madhe, e kam përfaqësuar shtetin në Federatën e Kickbox në atë kohë dhe arrita që ta fitojë medaljen e bronztë, konkurrenca ka qenë e madhe se ka pasur shumë garues”, vazhdoi ai.

I pyetur se kur do të fillojë me garat këtë vit, Hoti theksoi se gjatë vjeshtës do nisë në garën që do e zhvillojë kryetari i Federatës së Muaythai, Shpëtim Ahmetaj.

“Shpresoj që në vjeshtën e këtij viti do fillojmë me ‘proofing match’ në Muaythai, që kryetari i Federatës së Muaythai, Shpëtim Ahmetaj do organizojë një super garë të madhe dhe do marrë pjesë edhe unë”, deklaroi ai.

Ai tutje ka zbuluar synimin kryesor, e cila mbetet Kupa e Botës, të cilën shpreson që do ta fitojë në vitet e ardhshme.

“Unë synimin e kam Kupën e Botës në të ardhmen dhe ishalla do ta mbërrij për këtë synim, tash duhet vetëm puna dhe stërvitja intensive”.

Hoti, gjithashtu ka formuar klubin e vet ‘Katana’, klub i cili ka korrur suksese të shumta brenda një kohë të shkurtër, ndërsa ka rreth 30 nxënës.

“Që një vit jam licencuar në këtë Federatë, në IFMA Muaythai, tash për tash kemi 30 nxënës, ndërsa vitin e kaluar i kam nxjerrë pesë kampionë, një sportistë viti dhe klubi më i mirë i vitit 2019 ka qenë klubi Muaythai ‘Katana”, përfundoi kampioni i Kosovës.

Pos, kampion i shtatëfishtë i Kosovës, Hoti është edhe kampion i trefishtë i Ballkanit./E.Bytyqi /arbresh.info.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara