Shqipëria turpërohet në Francë, kampioni i botës tregohet i pamëshirshëm

22:44 | 7 Shtator 2019

Franca është treguar e pamëshirshme në ndeshjen si nikoqir mbrëmjen e sotme (e shtunë) kundër Shqipërisë.

Kampioni i botës ka mposhtur me rezultat të thellë 4 me 1 skuadrën kombëtare të Shqipërisë në takimin e zhvilluar në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020 në Grupin H, shkruan portali arbresh.info.

Takimi është shtyrë për disa minuta për shkak se “Kuqezinjtë” refuzuan fillimin e ndeshjes pas një gabimi nga organizatorët që lëshuan himnin e Armenisë në vend të atij të Shqipërisë. Sidoqoftë, francezët gabuan jashtë fushe ndërsa kombëtarja shqiptare bëri gabime të shumta në fushë dhe për këtë u ndëshkuan qysh në minutën e gjashtë të ndeshjes duke pësuar gol.

Ishte Kingsley Coman që realizoi golin e epërsisë pas një super asistimi nga Raphael Varane.

Goli i dytë u shënua në minutën e 27′ nga sulmuesi Olivier Giroud.

Pjesa e parë përfundoi me rezultat 2 me 0 edhe pse francezët kishin mundësi për të shënuar golin e tretë me anë të Antoine Griezmann, i cili dështoi nga pika e bardhë duke goditur vetëm transverzalen.

Coman gjeti golin e dytë personal për 3 me 0 gjatë pjesës së dytë në minutën e 68′ teksa goli i katërt u shënua nga Jonathan Ikone (85′), i cili edhe debutoi në këtë ndeshje te kombëtarja e Francës.

Skuadra e Edi Rejas arriti të realizojë golin e vetëm dhe të nderit në sekondat e fundit kur fituan goditje nga penaltia pas një ndërhyrje të palejuar nga Loris kundër Cikalleshit. Ky i fundit u tregua i saktë duke shënuar për 4 me 1 dhe për t’i dhënë fund ankthit në Francë.

Shqipëria luan kundër Islandës pas tri ditëve, ndërsa Franca do të përballet me Andorrën./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara