“Salah e do Këpucën e Artë, do ta ndihmojmë”

18:26 | 15 Prill 2018

Klopp thotë se përderisa Salah shënon gola, do të thotë se edhe Liverpooli fiton – andaj nuk sheh ndonjë problem që e gjithë skuadra po tenton ta ndihmojë egjiptianin për ta fituar “Këpucën e Artë”.

30 gola në Premierligë, 40 në të gjitha garat – Mohamed Salah po përjeton sezon ëndrrash.

Egjiptiani është rrugës së mirë për ta fituar Këpucën e Artë në Premierligë, pasi ka pesë gola më shumë se Harry Kane (30 me 25). Ai gjithashtu po lufton edhe për Këpucën e Artë në Evropë, ku po garon me Lionel Messin, ky i fundit ka realizuar 29 gola.

Trajneri i të Kuqve, Jurgen Klopp, ka treguar se sa shumë i obsesionuar është Salah pas çmimit “Këpuca e Artë”.

“Ai është djalosh krejtësisht normal, nuk do të thotë asgjë pse dëshiron të fitojë Këpucën e Artë, kjo më duket normale mua”, u shpreh Klopp.

“Ai e di se mënyra se si luajmë, i përshtatet atij. Djelmoshat po e kërkojnë shumë atë, është sikur ‘jepja atij’, kështu që duhet ta balancojmë pak këtë. Ai është kërcënim (për të gjithë), por duhet të jemi të qetë”, shtoi Klopp.

“Nuk është i shpërqendruar nga Këpuca e Artë, dëshiron ta ketë atë, por gjithashtu dëshiron që si ekip të jemi të suksesshëm, kështu janë gjërat. Nëse ai e fiton Këpucën e Artë, do të thotë se edhe ne jemi të suksesshëm, kështu që s’ka problem për këtë”.

“Si sulmues, ju duhet të merrni një vendim, nëse shënoni, të gjithë ju duan, nëse nuk shënoni, pastaj hmmm… njerëzit fillojnë të flasin”. /Gazeta Express/

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale