Rinisja e Serisë A: Juventusit i rrezikohet dominimi në ligë

14:03 | 19 Qershor 2020

Juventusi do të luftojë ta vazhdojë dominimin në Serie A, synim ky që s’do ta ketë të lehtë për ta arritur për shkak të epërsisë prej vetëm një pikë ndaj Lazios – përderisa Serie A do të rinisë këtë javë, pas tre muajve pauzë shkaku i koronavirusit.

Kthimi i Serisë A ishte vlerësuar i paimagjinueshëm në mars, kur sezoni u ndërpre dhe Italia po bëhej epiqendra e Covid-19 në botë, përderisa në prill regjistronte qindra vdekje në baza ditore shkaku i këtij virusi, transmeton Gazeta Express.

Por, situata tani është përmirësuar në Itali, ku deri më tani janë regjistruar pothuajse 35 mijë viktima, ndërsa ndeshjet e ligës elitare janë lejuar të rinisin prapa dyerve të mbyllura dhe përmes aplikimit të një protokolli mjekësor.

Së pari, këtë fundjavë, do të zhvillohen katër ndeshje të suspenduara nga xhiroja e fundit e ligës. Të shtunën, Torino e pret Parmën ndërsa Cagliari udhëton te Hellas Verona e Amir Rrahmanit dhe Marash Kumullës. Atalanta e pret Sassuolo në Bergamo të dielën, ndërsa interi e pret në shtëpi Sampdorian.

Javët e ardhshme, kur të gjitha skuadrat do t’i kenë edhe nga 12 ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit, Juventusi do të luajë në Bologna, ndërsa Lazio do të udhëtojë në Atalanta.

Juventusi i Maurizio Sarrit dështoi në finalen e Kupës së Italisë kundër Napolit në penallti në mesjavë, pasi e kishte humbur edhe finalen e Superkupës së Italisë kundër Lazios në dhjetor.

Por, Juventusi do të shpresojë që do të arrijë suksese të paktën në Serie A këtë sezon, në mënyrë që ta vazhdojë dominimin tetëvjeçar si kampion i Italisë.

Për këtë do t’i duhet ndihma e Cristiano Ronaldo, i cili është në garë për Këpucën e Artë, përkundër që ka gjashtë gola më pak se ylli i Lazios, Ciro Immobile, i cili e ka ndihmuar skuadrën e vet të garojë për titull me 27 golat e tij.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara