Reali fiton derbin madrilen kundër Atleticos

18:15 | 9 Shkurt 2019

Real Madridi ka siguruar rezultat pozitiv në derbin madrilen pasditen e sotme (e shtunë) kundër Atletico Madridit.

‘Los Blancos’ kanë marrë tri pikë të plota duke u larguar nga stadiumi Wanda Metropolitane me një rezultat 3 me 1 në takimin e zhvilluar në kuadër të xhiros së 23-të në La Liga, shkruan portali arbresh.info.

Casemiro me një supergol me gërshërë zhbllokoi shifrat në minutën e 16′, por nikoqirët u përgjigjen menjëherë duke barazuar shifrat përmes sulmuesit Antoine Griezmann në minutën e 25′.

Vetëm dy minuta pa përfunduar pjesa e parë, Real Madridi fitoi një penalti si pasojë e një ndërhyrje të ashpër ndaj talentit Vinicius Junior dhe Sergio Ramos u tregua i saktë nga pika e bardhë duke shënuar për 2 me 1.

Golin tjetër e realizoi Gareth Bale në minutën e 74′ pas inkuadrimit në fushë si një zëvendësues i talentit brazilian Vinicius Junior.

Në minutën e 80′, mesfushori Thomas Teye Partey u ndëshkua me kartonin e kuq të verdhë duke vështirësuar misionin e Atleticos për ndonjë rikthim befasues.

Real Madridi tani gjendet në pozitën e dytë me 45 pikë, pesë larg Barcelonës si lidere me një ndeshje më pak, ndërsa Atletico qëndron në pozitën e tretë me një pikë më pas se ‘Los Blancos’./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara