Rashkaj për ndeshjen kundër Malit të Zi: Duhet të jemi të përgatitur sikur kundër Anglisë

18:13 | 9 Tetor 2019

Anel Rashkaj ka paralajmëruar bashkëlojtarët te skuadra e Kosovës para ndeshjes ndaj Malit të Zi mbrëmjen e së hënës.

Në konferencën për shtyp pasditen e sotme, Rashkaj foli për fillimisht për ndeshjen miqësore të nesërme kundër Gjibraltarit, shkruan portali arbresh.info.

“Mendoj që çdo ndeshje është e rëndësishme dhe çdo ndeshje e ka rëndësinë e vet. Edhe kjo ndeshje është me rëndësi se ka disa lojtarë që nuk kanë luajtur me klubet e tyre aq shumë dhe është mundësia të luajnë por edhe ata që nuk kanë luajtur me përfaqësuesen mund të luajnë. Është mundësia edhe për ata të kenë pak minutash më shumë”

I pyetur nëse pret të jetë nga minuta e parë në miqësoren e nesërme në “Fadil Vokrri”, ai tha:

“Nuk pres asgjë, mendimi im është që të jem i fokusuar për çdo situatë. Ka pasur ndeshje që kam hyrë në pesë minutat e fundit, duhet të jesh i foksuar në pesë minutat e fundit. Nuk mendoj shumë për këtë aspaket, kryesorja është të jem i përgatitur për gjithçka”

Duke marrë parasysh se Kosova gjendet në një pozitë mjaftë të favorshme për kualifikim në Euro 2020, Rashkaj paralajmëroi se në takimin që cilësohet edhe si vendimtar ndaj Malit të Zi duhet të kemi “shumë kujdes”, shkruan portali arbresh.info.

“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, kemi pasur një ecuri shumë të mirë deri më tani. Nuk mendoj se jemi në një situatë të shohim një kundërshtarë më poshtë se ne  sepse siç e dimë Mali i Zi në ranglistën e FIFA-s është shumë më lartë se ne”

“Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm në çdo ndeshje, si në ndeshjen ndaj Gjibraltarit ashtu edhe në ndeshjen ndaj Malit të Zi ne duhet të jemi të fokusuar dhe me këmbë në tokë. Nuk ka kundërshtarë të lehtë. Mali i Zi ka lojtarë që luajnë në Spanjë e në Itali, nuk duhet të mendojmë se do të shkojë lehtë kjo ndeshje. Duhet të jemi maksimalisht të përgatitur sikur të luajmë kundër Anglisë. Shpresojmë të hyjmë me atë mentalitet në ndeshje”, përfundoi Rashkaj.

Ndeshja miqësore mes Kosovës dhe Gjibraltarit luhet më 10 tetor (nesër) në stadiumin “Fadil Vokrri” duke filluar nga ora 18:00./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara