Portieri i Çekisë: Ne e meritojmë kualifikimin në EURO, jo Kosova

15:33 | 14 Nëntor 2019

Portieri i Çekisë, Tomas Vaclik, beson se Kombëtarja e tij e meriton të kualifikohet në Kampionatin Evropian 2020 e jo Kosova. Këtë gjë, ai beson, se Çekia do ta dëshmojnë sonte në ndeshjen mes dy Kombëtareve.

Çekia e pret sonte Kombëtaren e Kosovës në stadiumin Doosan Arena, në Pilsen, në orën 20:45 për ndeshjen e parafundit në kuadër të Grupit A kualifikues për EURO 2020, shkruan Gazeta Express.

Pas fitores kundër Anglisë në tetor, vetëbesimi i çekëve se do të arrijnë ta sigurojnë kualifikimin në Kampionatin Evropian 2020 është rritur edhe më shumë. Këtë e pranon edhe vetë Vaclik.

“Natyrisht, pritjet janë të mëdha. Kur ne patëm mundësi ta mposhtim Anglinë, të gjithë e theksojnë se mundemi dhe duhet ta mposhtim Kosovën. Ndeshja do të jetë shumë e vështirë sepse për ta është ndër mundësitë e fundit për t’u kualifikuar në EURO”, ka thënë Vaclik.

Nëse fiton sot kundër Kosovës, Çekia do ta sigurojë vendin në Evropian, ndërsa një humbje eventuale e Anglisë mund t’ia siguronte edhe vendin e parë në Grupin A. Megjithatë, këtë s’do ta kenë të lehtë ta arrijnë, pasi që Kosova i kishte mposhtur 2:1 në ndeshjen e zhvilluar në Prishtinë.

“Besoj se ndeshja do të jetë më e mirë në anën tonë. Ne të gjithë besonim se kritikat pas ndeshjes së fundit ishin të drejta. Tani ato do të na ndihmojnë për ndeshjen në shtëpi. Rezultati nuk ishte i mirë në Kosovë. Unë besoj se këtë herë ne do ta dëshmojmë se e ne e meritojmë të jemi në EURO, jo Kosova”, shtoi Vaclik.

Më poshtë mund t’i lexoni rezultatet që i duhen Kosovës në dy ndeshjet e nëntorit – kundër Çekisë dhe Anglisë, për ta siguruar kualifikimin.

– Kosova eliminohet nëse humb kundër Republikës Çeke.

– Nëse Kosova e mposht Çekinë, atëherë mund t’i duhet barazimi kundër Anglisë varësisht nga rezultati i ndeshjes Bullgari – Çeki (nëse Çekia fiton kundër Bullgarisë, Kosovës do t’i duhej të paktën barazim kundër Anglisë; çfarëdo barazimi apo humbje e Çekisë kundër Bullgarisë do ta dërgonte Kosovën automatikisht në Evropian, pavarësisht rezultatit kundër Anglisë).

– Nëse Kosova barazon kundër Çekisë, atëherë Kosovës i duhet të paktën barazim kundër Anglisë dhe Çekia duhet të humbë kundër Bullgarisë.

– Nëse Kosova s’e arrin kualifikimin në këtë mënyrë, e ka të siguruar një vend në play-offs, si fitues i Grupit D3 të Ligës së Kombeve.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara