Përfundon xhiro e 11-të në Euroleague

14:17 | 21 Mars 2015

Përfunduan mbrëmë edhe tri ndeshjet e mbetura të xhiros së 11-të në Eurolrague, ku takimet ishin mjaft interesante.

Fenerbahçe bëhet skuadra e katërt që zyrtarisht kualifikohet në çerekfinale, pasi mposhti në Stamboll ekipin Italian të Emporio Armanit nga Milano me rezultat 98-77.

Ndeshja ishte përafërsisht e barabartë në rezultat deri në çerekun e katërt, madje në disa momente EA7 Milan kishte edhe epërsinë deri ne 5 pikë. Por, çereku i katërt tregoi forcën e vërtetë të ekipit të Željko Obradović, ku shënuan dyfish më shumë pikë se skuadra e Lucha Banchi-t (33-16).

Tek Fenerbahçe paraqitje fantastike pati serbi Bogdan Bogdanović me 25 pikë, kurse Jan Vesely shtoi 14 pikë dhe 9 kërcime dhe Nemanja Bjelica me 13 pikë, 9 kërcime e 6 asistime.

Derisa në ekipin e EA7 Milan mbrëmje të mirë kishte amerikani Marshon Brooks me 21 pikë e 5 asistime dhe Alessandro Gentile i cili shënoi 19 pikë.

Fenerbahçe me këtë fitore përpos që kualifikohet në çerekfinale, kalon për momentin në vendin e parë në Grupin F me 9 fitore e vetëm 2 humbje, duke e lënë pas CSKA Moscow në vendin e dytë. Ndërsa EA7 Milan pa ndonjë gjasë për fazën tjetër, mbetet si skuadra e parafundit me vetëm 3 fitore e 8 humbje në këtë grup të Top 16.

 

Në dy takimet tjera, vetëm fitoret e vendasve gjë që edhe ndodhi, i mbanin ata në luftë për pozitën e katërt në Grupin E dhe F.

Panathinaikos madje shënuan fitore shumë bindëse ndaj skuadrës më të suksesshme në Euroleague, ajo e Real Madrid, të cilën e mposhtën me rezultat 85-69.

Në ekipin grek u shquan Nikos Pappas me 22 pikë dhe DeMarcus Nelson i cili shënoi 16, me 5 kërcime e 4 asistime. Kurse, po ashtu James Gist shtoi 13 pikë dhe 5 kërcime, edhe pse në aspektin e kërcimeve te Panathinaikos më të mirët me nga 9 ishin, Mavrokefalidis dhe Esteban Batista.

Derisa në skuadrën e Pablo Laso-s në këtë mbrëmje amerikani Jaycee Carroll shënoi 16 pikë, Rudy Fernandez (12) dhe Felipe Reyes (11), e Sergio Llull (11) me 3 trepikësha.

Panathinaikos me këtë fitore, arrin ta mbajë pozitën e katërt me 6 fitore e 5 humbje, me një fitore më shumë se ALBA Berlin që është një pozitë më poshtë. Kurse, Real Madrid veçse e kishte siguruar çerekfinalen më herët, dhe përkundër humbjes mbetet në pozitën e parë në Grupin E.

 

Dhe takimi i tretë Laboral Kutxa – Olympiacos, pati një përfundim dramatik, ku spanjollët arritën fitore në fund, ndaj tri herë kampionëve të Euroleague, me vetëm një pikë apo gjysmë koshi epërsi.

Rezultati më pak se një minutë para fundit ishte 74-73 për Laboral, me ç’rast pas 1 min. Time-Out nga trajneri Sfairopoulos, grekët patën disa mundësi për ta fituar ndeshjen. Së pari Georgios Printezis, pas faullit ndaj tij, nuk arriti të shënonte asnjërën nga dy gjuajtjet e lira. E pastaj edhe Oliver Lafayette nuk ishte i saktë nga tentimi për tre pikë. Në fund rezultati mbeti i njëjtë 74-73.

Te Laboral Kutxa Vitoria më i miri me 17 pikë, 6 kërcime e 5 topa të vjedhur ishte Mike James. Pas tij erdhën Davis Bertans me 15 dhe Fabien Causeur me 13 pikë.

Në anën tjetër te tri herë kampionët Olympiacos, ishin vetëm dy lojtarë me pikë dyshifrore. Georgios Printezis me 15 pike e 7 kërcime dhe Othello Hunter që shënoi 14.

Tabela momentale në dy Grupet e fazës së Top 16 në Euroleague:

Tabela

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara