Nuhiu zëvendësohet pas 45 minutave lojë, ja statistikat e tij

18:52 | 7 Dhjetor 2019

Atdhe Nuhiut iu dha përsëri mundësia për ta dëshmuar veten si titullar nga trajneri Garry Monk për Sheffield Wednesday, mirëpo sulmuesi kosovar s’arriti të luajë rol të madh në skuadrën e tij gjatë pjesës së parë dhe trajneri vendosi ta zëvendësojë.

Sheffield Wednesday arriti të sigurojë fitore me rezultat 2:1 në ndeshjen kundër Brentfordit, që u zhvillua sot në stadiumin Hillsborough, në kuadër të xhiros së 20-të të Championshipit, nivelit të dytë të futbollit në Angli, raporton Gazeta Express.

Pasi që kishte arritur të shënojë fundjavën e kaluar kur ishte titullar, Atdhe Nuhiu e fitoi një vend në sulmin e Sheffieldit edhe sot. Megjithatë, kosovari sot s’arriti të lërë gjurmë në këtë ndeshje, ku u zvëvendësua nga Jordan Rhodes në pushimin pas pjesës së parë.

Gjatë këtyre 45 minuta lojë, Nuhiu e pati vetëm një goditje dhe ajo shkoi jashtë kuadratit të portës, ndërsa nuk arriti ta rrezikojë portierin kundërshtar asnjëherë seriozisht.

Statistikat e grumbulluara nga SofaScore tregojnë se Nuhiu tentoi të driblonte vetëm një herë dhe nuk pati sukses, ndërsa ishte 40 për qind i saktë në pasime, përderisa topin e prekur gjithsej 22 herë gjatë pjesës së parë.

Nuhiu dominoi në duelet ajrore, duke i fituar gjashtë nga gjithsej shtatë, mirëpo nuk e kishte të njëjtin fat edhe në duelet në tokë, pasi i humbi të gjitha katër. Statistika më shqetësuese për kosovarin është se ai e humbi topin 13 herë gjatë këtyre 45 minuta lojë, duke bërë që të marrë notën 6.6

Kosovari do të shpresojë se kjo paraqitje e tij të mos ketë ndikuar që ai ta humbë pozitën e titullarit në skuadrën e Monkut, që pas katër ditësh do të zhvillojë ndeshje kundër Derby Countyt, në kuadër të Championshipit sërish

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara