Në mënyrë madhështore Sigal Prishtina feston trofetë

10:53 | 23 Maj 2015

Klubi më i suksesshëm në vendin tonë, Sigal Prishtina në Pallatin e Rinis dhe Sporteve në Prishtina, ka festuar trofetë e fituar në këtë edicion të garave.

Në nja atmosferë madhështore të krijuar nga “Plisat”, Sigal Prishtina bashkë me tifozët dhe sponsorët, ka festuar të gjithë titujt e fituar këtë edicion, por trofeu i veçantë ishte padyshim titulli i kampionit në Ligën Ballkanike.

Prishtinasit prezantuan edhe dhjetë trofetë e fituar në këtë edicion të garave, duke u nisur nga titulli i kampionit për grup-moshat 12 vjeç e deri tek seniorët.

Në këtë ceremoni sportive Sigal Prishtinës iu dorëzua titulli i kampionit në ETC Superliga, i dhjetë më radhe. Prishtinasit e fituan këtë titull me serinë e fitoreve (3-1) në finalet e play-off-it, pasi që Peja u tërhoq në sfidën e tretë.

Sigal Prishtina, bashkë me ekipet e saja në edicionin 2014-2015, vetëm në këtë edicion, ka fituar 10 trofe të çmueshëm.

Drejtori i Përgjithshëm i Sigal Prishtinës, Florian Miftari tha se Sigal Prishtina e ka bërë historinë në basketbollin e Kosovës, duke fituar titulli e dhjetë në vendin tonë dhe të parin në Ligën Ballkanike, transmeton arbresh.info. Ai thotë se trofeu i Ligës Ballkanike ka qenë suksesi më i madh i kryeqytetasve.

“Të them të drejtën kemi arritur të gjithat, që deri tani nuk i ka arritur askush në historinë basketbollit të Kosovës, Sigal Prishtina ka arritur t’i bëjë realitet këto dhe jam shumë i previligjuar që jam pjesë e këtij klubi. Mendoj se kupa e Ligës Ballkanike ka qenë kryesorja, sepse iu kemi treguar të gjithëve se ne dimë të luajmë basketboll dhe të fitojmë, kështu që 10 kupa qofshin nga meshkujt apo femrat janë shumë dhe duhet të mësohen edhe klubet tjera të punojnë më ndershmëri, të punojmë më zell dhe t’i pranojnë edhe humbjet dhe fitoret ashtu siç duhet”, theksoi Miftari.

I entuziazmuar me sukseset e Sigal Prishtinës, është shprehur edhe ndihmëstrajneri i bardhekaltërve, Fikret Shatri. Ai tha se për të ardhur deri tek këto sukses ka qenë një sakrificë e një plejade të terë. Shatri thekson se Sigal Prishtina në sezonin e ardhshëm do të jetë edhe më e fortë.

“Është një ndjenje e mirë në një rrugëtim të gjatë tonin, sepse për të arritur deri te titulli i dhjetë ka qenë sakrificë e madhe, një plejade e terë e njerëzve që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë. Mendoj se Prishtina do të jetë edhe më e fortë, falë organizmit dhe punës së madhe që është bërë viteve të fundit. Kuptohet se edhe pritshmërit janë të mëdha. Këtë sezon e mbyll dhe nga nesër nis puna për sezonin 2015/16 dhe personalisht pres shumë nga Prishtina”, theksoi Shatri.

Ndërkaq, njeriu që ka fituar gjithë trofetë e mundshëm në basketbollin tonë, kapiteni Edemond Azemi mendon se titujt e fituar nga skuadra e tij janë të merituar. Ikona prishtinase thotë se ky sezon ka qenë shumë i vështirë, sepse sipas tij, nuk ka qenë lehtë të luftohet në dy fronte, Ligën Ballkanike dhe Kampionatin e Kosovës.

“Mendoj se është titull i merituar i Sigal Prishtinës, sepse kemi pasur një konkurrentë shumë të fortë siç është Peja, por në fund i kemi mundur me meritë, kështu që ata u tërhoqën nga garat dhe zyrtarisht do të marrin pjesë në Ligën e Parë të Kosovës, dhe ne jemi shpall kampion zyrtarisht. Kampionati ka qenë shumë i vështirë për ne, si për kampionatin në Kosovës dhe në Ballkan Ligë. E dini se Ballkan liga ka qenë shumë e madh për ne. Nuk e kemi filluar mirë, mirëpo në fazën finale kemi treguar lojëra të mira dhe me lojë të mirë, lojë kolektive kemi arritur fitore të madh që pak kush e ka arritur, ku KB Sigal Prishtina u shpall kampion i Ballkan Ligës”, pohoi Azemi.

Ai ka shtuar se ndjehet jashtëzakonisht i emocionuar me sukseset e Sigal Prishtinës.

Trofetë e fituar të Sigal Prishtinës në edicionin 2014/2015:

LIGA BALLKANIKE [Ekipi Senior]

KAMPIONATI I KOSOVËS [Ekipi Senior]

SUPERKUPA [Ekipi Senior]

KAMPIONATI I KOSOVËS [Ekipi i Femrave]

KUPA E KOSOVËS [Ekipi i Femrave]

KAMPIONATI I LIGËS SË PARË [Ekipi “B”]

KAMPIONATI [Ekipi U-18]

KUPA E KOSOVËS [Ekipi U-18]

KUPA E KOSOVËS [Ekipi U-16]

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara