Në Ferizaj, përurohet fusha e tenisit dhe vihet gurthemeli i Qendrës Multifunksionale

15:14 | 29 Tetor 2020

Ferizaj bëhet me fusha të tenisit. Kjo u mundësua me investimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ky projekt infrastrukturor fizik u përurua sot dhe në të u investuan rreth 100 mijë euro.

Në ceremoninë e përurimit të terreneve të tenisit mori pjesë Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, e shoqëruar me zëvendësministrat Halil Matoshi e Qazim Rrahmani, bashkë me Kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliu dhe Kryetarin e Federatës së Tenisit të Kosovës, Mejdi Rexhepi.

Me këtë rast, ministrja tha se, ky investim është i rëndësishëm për tenistët e tenistet e  Ferizajt dhe në përgjithësi të Kosovës, ngase tashmë ky sport është i ndërkombëtarizuar dhe se në Kosovë po zhvillohen edhe gara ndërkombëtare, siç ishte rasti i garave evropiane që janë mbajtur javën e kaluar në Pejë, në tenis.

“Shumë të lumtur që sot njëkohësisht përuruam kompleksin e fushave të tenisit, investim kapital i MKRS-së, respektivisht i Qeverisë së Kosovës me rreth 100 mijë euro. Kemi tenistë të talentuar dhe me këtë investim të ministrisë u kemi krijuar hapësirë këtyre sportistëve që të kultivojnë talentin e tyre”, u shpreh mes tjerash ministrja.

Po ashtu, ministrja Dumoshi e kryetari Aliu, bashkë me aktorët e teatrit të qytetit, vunë gurthemelin e Qendrës Multifunksionale, objekt unik në të cilin do të përfshihen pallati i kulturës, galeria e artit, teatri dhe muzeu i këtij qyteti, projekt në të cilin do të investojë edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ministrja e Kulturës Rinisë e Sportit, tregoi se MKRS është e pranishme me shumë projekte në këtë komunë, ndaj në kuadër të vizitës sotme në Ferizaj, ajo qëndroi edhe palestrën e sporteve “Bill Klinton” për të parë nga afër cilat janë nevojat dhe hapësirat për përmirësim.

Ndërsa, kryetari Aliu, e falënderoi ministren dhe stafin e MKRS-së për vizitën dhe u shpreh se investimet që po realizon MKRS-ja në Ferizaj janë të rëndësishme, po e shndërrojnë këtë komunë në njërën prej komunave më transformuese në Kosovës, me ritmet më të larta zhvillimore. “Ferizaj po plotësohet me objekte të reja të sportit e të kulturës, të cilat i kanë munguar më parë”, tha ndër të tjera kryetari Aliu.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara