Mundësi e artë që basketbollistet të luajnë në arenën ndërkombëtare

13:44 | 30 Qershor 2020

Ideja e formimit të Përfaqësueses A në konkurrencën e femrave po mirëpritet nga komuniteti i gjerë i basketbollit në Kosovë. Propozimi duhet të miratohet edhe në Bordin e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK).

Ideja është që Kosova të marrë pjesë vitin e ardhshëm në Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla, ku marrin pjesë vende me cilësi të përafërt me Kosovën.

Një nga basketbollistet më me përvojë dhe më shumë trofe në basketbollin e femrave është Arbnore Përquku. Edhe ajo e përkrah idenë e formimit të Përfaqësueses A te femrat.

“Sigurisht që e mirëpresim këtë ide. Që 20 vjet luaj basketboll dhe do të ishte shumë mirë që të luaj edhe me shtete evropiane dhe të kem përvojë në arenën ndërkombëtare në karrierën time”, është shprehur Përquku për faqen zyrtare të FBK-së.

“Ideja është e qëlluar, sepse u jepet mundësia, si neve që kemi përvojë, por është një mundësi e artë edhe për gjeneratat e reja”, shtoi tutje ajo.

Në FIBA Kampionatin Evropian për Shtetet e Vogla-Femrat në vitin 2020 janë paraqitur për të garuar: Andorra, Qipro, Gjibraltari, Irlanda, Luksemburgu, Malta dhe Norvegjia, por që u anulua për shkak të pandemisë Covid-19.

Regjistrimi i shteteve për pjesëmarrje në FIBA Kampionate Evropiane në FIBA Europe do të bëhet si zakonisht, pra ndërmjet muajve Shtator/Tetor 2020.

FIBA Evropa ka kërkuar nga të gjitha Federatat Nacionale që të regjistrojnë ekipet e tyre për vitin 2021, pasi regjistrimet e paraqitura për vitin 2020 nuk do të merren parasysh.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara