Moratti: Icardi ka të drejtë të kërkojë rritje të pagës, klubi ka strategji për ta mbajtur atë

13:26 | 11 Janar 2019

Ish-pronari dhe presidenti i Interit, Massimo Moratti thotë se Mauro Icardi ka të drejtë për t’i kërkuar klubit një rritje page.

Agjentja dhe gruaja e Icardit, Wanda Nara thuhet se kërkon nëntë milion euro në sezon për sulmuesin për të nënshkruar një kontratë të re me Interin.

Ky qëndrim i Wandas është larg atij të drejtuesve të Interit, të cilët janë të gatshëm të ofrojnë deri në shtatë milionë euro në sezon për kapitenin e tyre.

Kjo situatë ka bërë që tifozët të ndahen në dysh mes drejtuesve dhe kapitenit të tyre, ndërsa së fundmi është inkuadruar edhe Moratti.

Ish-presidenti dhe pronari i Interit ka thënë se sulmuesi argjentinas ka të drejtë të kërkojë rritje të pagës.

“Çdo vit ka çështje rreth rinovimit të Icardit”, ka thënë fillimisht Moratti për Sport Mediaset.

“Unë mendoj se lojtari ka të drejtë të mendojë për një kontratë më të mirë, por mendoj gjithashtu se klubi ka formuluar një strategji për ta mbajtur atë”.

“A do t’i kisha dhënë Icardit 8-9 milionë euro? Nuk e di se si të lidhen figurat e së tashmes me ata të së kaluarës…”, përfundoi presidenti legjendar.

Shpërndaje në rrjete sociale