Ministrja Dumoshi uron mundësin Shala, ekipi olimpik i Kosovës do të përkrahet nga shteti

17:37 | 20 Shkurt 2020

Ministrja Vlora Dumoshi ka pritur në takim drejtuesit e Federatës së Mundjes së Kosovës (FMK), të kryesuar nga Naim Muja dhe mundësin Egzon Shala, i cili ka marrë zyrtarisht njoftimin nga Federata Ndërkombëtare e Mundjes që ka arritur normën olimpike.

Kësisoj, ekipit të sportistëve nga Kosova në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” i shtohet edhe një sportist me normë olimpike.

Me këtë rast, Ministrja Dumoshi e uroi mundësin Egzon Shala dhe drejtuesit e FMK-së për këtë arritje dhe i dëshiroi suksese në paraqitjet në LO “Tokyo 2020”.

Ministrja tha se ekipi olimpik do të ketë mbështetjen e plotë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ngase paraqitja në Japoni nuk është vetëm personale por është prezantim edhe i shtetit të Kosovës dhe porositi që sportistët të përgatiten dhe të garojnë në mënyrë dinjitoze në këtë ngjarje të madhe sportive ndërkombëtare.

Po ashtu, ministrja u shpreh se programi dhe politikat për sportin e Kosovës që ka në plan MKRS-ja do të ndikojë drejtpërsëdrejti në avancimin e kësaj fushe të rëndësishme qoftë në cilësi ashtu edhe në masivizim.

Ndërsa, nga ana e tij, kryetari Muja e uroi ministren për marrjen e detyrës së udhëheqjes së MKRS-së duke i dëshiruar mbarëvajtje të punës dhe realizim të synimeve. Ai u shpreh se presin që ministria por edhe Qeveria në tërësi të rrisë mbështetjen dhe të kthejë syrin edhe më shumë ka fusha e sportit./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara