Max Kruse: Vedat Muriqi si Lewandowski, do të jetë në Bayern pas dy ose tri sezoneve

22:26 | 11 Shtator 2019 | Arsim Namani

Max Kruse beson se Vedat Muriqi është në nivel të njëjtë me sulmuesin Robert Lewandowski.

Sulmuesi i Fenerbahce ka lavdëruar bashkëlojtarin e tij në linjën frontale duke shtuar gjithashtu se sheh reprezentuesin e Kosovës pas dy ose tri sezoneve te kampioni në Bundesliga, shkruan portali arbresh.info.

“Vedat Muriqi është si Lewandowski. Mendoj se ai do të transferohet në Bayern Munich brenda dy ose tri sezoneve”, ka thënë 31-vjeçari për gazetën gjermane Badische Zeitung.

Muriqi është në formë të lartë dhe ka arritur të gjej portën në dy ndeshjet skuadrës kombëtare në shtator – atë kundër Republikës Çeke javën e kaluar dhe Anglisë mbrëmjen e së martës.

25-vjeçari ka shënuar gjithashtu dy gola në Superligë të Turqisë brenda tri paraqitjeve te Fenerbahce pas transferimit këtë verë nga Rizespori.

Raporte të ndryshme pretendojnë se skautë nga klubet si Tottenhami, West Hami, Atletico Madridi, Valencia dhe AC Milani do të jenë të pranishme në stadiumin “Bahcesehir Okullari Arena” kundër Alanyasporit për të vëzhguar sulmuesin në formë të lartë./arbresh.info/

Lajmet më të lexuara