Man City gjunjëzohet para Liverpoolit në Anfield Road

19:47 | 10 Nëntor 2019

Liverpooli e ka mposhtur Manchester Cityn në kuadër të ndeshjes më të rëndësishme në javën e 12-të në Ligën Premier.

The Reds kanë fituar me rezultat të pastër 3-1 ndaj Citizens, derisa ky triumf bëri që ta thellojnë diferencën në nëntë pikë mes tyre.

Pas vetëm gjashtë minutash lojë, skuadra e Jurgen Klopp kaloi në epërsinë me anë të Fabinhos, derisa ishte krijuar një moment diskutabil shkaku i lojës me dorë të Trent-Alexander Arnold, por goli u pranua.

Mohamed Salah (13’) arrit ta dyfishonte epërsinë për Liverpoolin pasi u shërbye mjaftë mirë nga Andy Robertson, gjersa edhe këtu kishte polemika se egjiptiani ishte në pozitë jashtë loje.

Pjesa e parë përfundoi me dy golat shënuara nga gjashtë herë kampioni i Evropës, e që e dyta filloi sërish më mirë për ta.

Sadio Mane e trefishoi rezultatin për Liverpoolin në minutën e 51-të nga një asistim i Jordan Henderson.

City filloi të këndellej në minutat e fundit të ndeshjes, duke arritur që ta ngushtonin epërsinë me anë të Bernardo Silvas (78’).

Pep Guardiola ishte i acaruar në minutat e fundit të ndeshjes, pasi gjyqtari i takimit nuk i ndali një penallti në ndërhyrjen që bëri Alisson Becker ndaj Raheem Sterlingut, derisa spanjolli bënte me shenjë se ishte hera e dytë.

Liverpool vs Manchester City (Foto: Laurence Griffiths/Getty Images/Guliver)

Pas javës së 12-të, Liverpooli vazhdon të jetë lider me 34 pikë, derisa City ka zbritur në pozitën e katërt me 25 pikë.

Në xhiron e 13-të, The Reds do të kenë punë me Crystal Palacen, ndërsa kampioni në fuqi do ta presë Chelsean në ‘Etihad Stadium’. /Telegrafi/

Lajmet më të lexuara