Kosova i fitoi 9 medalje brenda 7 viteve në Paris

10:23 | 10 Shkurt 2019

Kosova e ka fituar të paktën një medalje në vit në Grand Slamin e xhudos në Paris në shtatë vitet e fundit, falë Majlinda Kelmendit me shokë.
Kosova u përfaqësua dje nga tre xhudistë në Grand Slamin e Parisit – Nora Gjakovën, Akil Gjakovën dhe Distria Krasniqin – me këtë të fundit që e fitoi medaljen e argjendtë, shkruan Gazeta Express.

Nora humbi befasisht në rundin e dytë, derisa Akili ia doli të arrijë deri në finale për medaljen e bronztë ku, megjithatë, dështoi. Por, Distria e fitoi medaljen e argjendtë duke e arritur finalen në kategorinë e saj.

Majlinda e vetme i ka fituar katër medalje të arta dhe një të argjendtë në Grand Slamin e Parisit gjatë karrierës së saj.

Akili një të artë, ndërsa Distria një të argjendtë dhe dy të bronzta.

Sot, një ditë më vonë, trajneri i tyre Driton Kuka i ka uruar mëngjes të mirë Kosovës nga Parisi.

Në një shkrim në Facebook, Kuka është shprehur: “Mirëmëngjesi nga Paris Bercy!

Grand Slam Paris

Kosova për 7 vjet i ka fituar 9 medalje!

Majlinda 4 të arta një të argjendtë

Akili 1 të artë

Disi 1 të argjendtë e 2 të bronzta!

Medalja e djeshme le të jetë si dhuratë për dy ngjarje të reja për Sportin dhe Sportistët që erdhën këtë javë:

E para për Ministrin Kujtim Gashi që po bën punë të shkelqyeshme dhe me rritjen e vlerês së Pikëve në Kategorizim po i bën Sportistët Elitar me dinjitet!

E dyta Komiteti Olimpik i Kosovës me rregullore për përkrahje drejtpërdrejt Sportistëve gjatë ciklit Olimpik

Vite me radh kemi punuar janë fituar krejt medaljet e mundshme në Sport,e arta Olimpike si Kurorë dhe tani Shteti ynë dita ditës po e jep hakun për vlera!”

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara