Kosova do të përfaqësohet me pesë sportistë në Lojërat Olimpike për të rinj, Buenos Aires 2018

17:56 | 23 Gusht 2018

Ekipi Olimpik i Kosovës do të përfaqësohet me pesë sportistë në Lojërat Olimpike për të rinj (LOR), Buenos Aires 2018, të cilat mbahen prej 6-18 tetor në Argjentinë.

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka marrë konfirmimin nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON) për pesë sportistë të pesë sporteve të ndryshme.

Pas xhudistes Erza Muminoviq, e cila është e vetmja që ka fituar normën Olimpike Buenos Aires 2018, Kosovën do ta përfaqësojnë edhe katër sportistët tjerë: Melisa Zhdrella (not), Erdonis Maliqi (boks), Muhamet Ramadani (atletikë) dhe Bleron Fetaovski (peshëngritje).

Erza është kampione e Evropës për U-18, pas medaljes së artë të fituar në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës, në qershor të këtij viti.

Zhdrella, Maliqi dhe Fetaovski janë ftuar nga KON-i në bazë të kriterit të univerzalitetit (komisioni tre palësh: Solidariteti Olimpik i KON-it, Federata Ndërkombëtare përkatëse dhe ANOC), kurse Ramadani është ftuar nga Federata Evropiane e Atletikës. Ai garon në hedhje të gjyles 5 kilogramë.

Bashkë me sportistët në Buenos Aires 2018 do të udhëtojnë edhe trajnerët.
Të drejtë pjesëmarrje në LOR kanë sportistë të moshës 14-18 vjeçare.

Ekipi Olimpik i Kosovës do të përfaqësohet për herë të parë në Lojërat Olimpike për të rinj, në të cilat synon të fitojë medalje.

Sportistët që do ta përfaqësojnë Kosovën në LOR Buenos Aires 2018:

Erza Muminoviq, xhudo (kategoria -44 kg)

Bleron Fetaovski, peshëngritje (kategoria -77 kg)

Erdonis Maliqi, boks (kategoria -64 kg)

Muhamet Ramadani, atletikë, (hedhje e gjyles 5 kg)

Melisha Zhdrella, not (50 m. bretkocë, 50 m. krol)

Lajmet më të lexuara