Historike: Kroacia për herë të parë në finale të Kampionatit Botëror

22:38 | 11 Korrik 2018

Kroacia është rivali i Francës në finale të Kampionatit Botëror “Rusia 2018” pas kualifikimit të tyre për herë të parë në histori.

Më një përmbysje sensacionale, Kroacia ka regjistruar fitore me rezultat 2 me 1 kundër Anglisë në gjysmëfinalen e zhvilluar mbrëmjen e sotme (e mërkurë), shkruan portali arbresh.info.

Pavarësisht fillimit të shkëlqyer duke realizuar gol të bukur qysh në minutën e 5′ të ndeshjes në Luzhniki Arena, “Tre Luanët” nuk arritën të ruajnë avantazhin e tyre duke humbur shansin për të shkuar në finale pas 52 viteve.

Supergoli nga Kieran Trippier përmes gjuajtjes së lirë nga një distancë prej 25 metrave u mohua në pjesën e dytë pas më shumë se një ore lojë nga Ivan Perisic që barazoi shifrat për 1 me 1 pas një asistimi nga Sime Vrsaljko në minutën e 68′.

Edhe pse kishin disa shanse të mira për realizuar në portën e Jordan Picford duke goditur madje edhe shtyllën në minutat e fundit të kohës së rregullt, ndeshja shkoi në vazhdime.

Në minutën e katërt të pjesës së dytë të vazhdimeve, sulmuesi Mario Mandzukic zuri në befasoi mbrojtjen e anglezëve duke shënuar gol të bukur për 2 me 1 (109′).

Finalja ndërmjet Francës dhe Kroacisë zhvillohet të dielën duke filluar nga ora 18:00./arbresh.info/

Shikoni tri golat e kësaj ndeshje:

Shpërndaje në rrjete sociale